Një ditë pas arrestimit të Ilir Metës, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara Nancy VanHorn i ka shkuar në zyrë ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha. Takimi mes tyre ka qene i shkurtër dhe nuk ka zgjatur më shumë se 20 minuta.
Ilir Meta ka sulmuar disa herë ambasadën amerikane dhe atë të Bashkimit Europian gjatë kohës që ishte president. Ai i akuzonte për përfshirje në reformën në drejtësi, kryesisht për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Pas njohjes së çështjes hetimore “CEZ DIA”, Ilir Meta nisi sulmet në verë edhe ndaj Altin Dumanit. Shpesh herë me ofendime dhe shpesh herë duke e akuzuar si levë të kryeministrit Rama. Pas disa orë nga arrestimi i Metës, Dumani ka pritur në zyrë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.
SPAK njoftoi të hënën se operacioni i arrestimit të kreut të partisë së lirisë nuk është kryer nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, por nga forcat operacionale të policisë.
Në njoftimin zyrtar Policia e Shtetit informon se ata kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit, për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një stad tjetër bashkëpunimi dhe besueshmërie mes palëve.
Policia e Shtetit thotë se kjo organizatë është e angazhuar maksimalisht dhe e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, dhe me policitë partnere, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Klan News