Dokumenti skandaloz që nxorri në Kuvendin e Shqipërisë deputeti Nikollë Lesi po rrezikon të bjerë në kurthin tashmë tipik të stilit socialist të qeverisjes ku anashkalohet dhe thelbi dhe të gjithë merren vetëm me fjalë. Debati prej dy ditësh po zhvendoset në rrafshin se a është apo jo i vërtetë materiali tronditës që përfshin në trafikun e armëve dhe në ndërhyrje flagrante në pushtetin gjyqësor të kryeminstrit Nano.

Ky debat tingëllon tejet abusrd kur në të përfshihet dhe vetë kryeminstri dhe qeveria që kanë të gjitha instrumentet e nevojshëm për të verifikuar menjëherë vërtetësinë ose jo të materialit në fjalë. Dhe mbi të gjitha vetë Fatos Nano ka në dorë një super instrument. Ai fare mirë, pa shpërdoruar zëdhënsin e tij, mund të kishte dalë dhe të deklaronte përpara qytetarëve shqiptarë nën përgjegjësinë e plotë morale se biseda e tij skandaloze me ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese nuk kishte ndodhur kurrë në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë. Por asgjë e tillë nuk ndodhi. Në vend të këtij akti moral, u ngrit një zhurmë datash, dyshimesh, kërkesash për hetime etj., që e komplikuan aq shumë çështjen sa gati u harrua thelbi i saj.

Që parlamenti shqiptar në datën 15 janar 1998 me inciativë personale të vetë zotit Fehmi Abdiu miratoi një shtesë në Kodin Penal që përgjysmonte dënimin për trafikantët e armëve. Nëse në ligjin e vitit 1996 parashikohet dënimi me 15 vjet burg dhe konfiskim të të ardhurave, në ligjin e zotit Abdiu dënimi shkoi nga 7 deri në 10 vjet dhe pa prekur fitimet e trafikantëve. Ky është fakti i pakundërshtueshëm, të tjerat janë vetëm tymnajë që kërkon të mbulojë skandalin e kartonave të mazhorancës, sepse në rast të kundërt kryeministri do të kërkonte vetë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të vërtetuar pastërtinë e tij.

Prokuroria fare mirë do të kishte marrë vetë në pyetje Sokol Koçiun që ka zbardhur incizimin dhe kështu askush nuk do të ishte munduar për të nxjerrë nga arkivat datat e mbingarkuara të udhëtimeve të kryeministrit. /tvklan.al