Në pritje të vlerësimit të masës së sigurisë, nga ambientet e bllokut të sigurisë ku po qëndron i izoluar prej së hënës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish lidhur me situatën në të cilën është përfshirë dhe akuzat e ngritura nga SPAK.

Përmes një komenti të publikuar në rrjetin social “Facebook”, ai tregon së pari përjetimet e 20 orëve të para në paraburgim.

“Natën e parë në qeli, i marrë forcërisht larg familjes dhe me idenë që sot në mëngjes im bir nuk do të shkonte në shkollë as me mua, as me të ëmën, e kam kaluar pa gjumë në sy. I vetmi ngushëllim ishte që nuk mund të shihja dhe as dëgjoja qenërinë, që me siguri më është vërsulur mbrëmë në studiot e kafshimeve dhe jargëve televizive”.

Më tej, duke folur për akuzat që përmban dosja e SPAK, ai thekson dhe njëherë se ato janë të pavërteta, ndërsa nuk kursen aspak fjalorin për prokurorin e çështjes.

“Ndjesë për çfarë ju kanë dëgjuar veshët dje deri vonë dhe sot që në sabah në ato kanale gjirizi. Por, dua të jini të sigurt se historia që po më tregon mua si një kriminel të korruptuar, i cili ka fshehur pasuri dhe pastruar para bashkë me të shoqen, është e sajuar nga një individ pervers, prokurori i çështjes tonë”.

Në reagimin e vet flet edhe për pretendimet konkrete të ngritura nga SPAK në dosje, siç është edhe ajo për shpenzimet e bashkëshortes së tij për veshje e bizhuteri.

“Ai, për shembull, ka shkruar në akt-akuzën haluçinante se ime shoqe ka harxhuar mbi gjysëm milionë Euro për blerje online fustanësh dhe bizhuterish. Ky pervers, që më pyeste mua për fustanet e gruas dhe më tregonte gjatë marrjes në pyetje se si shkonte kontrollonte gruan e tij në punë, nuk ka dashur t’ia dijë për shpjegimet e mia dhe të sime shoqeje. Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal”.

Për të vërtetuar këtë pretendim, Veliaj sjell në vëmendje se gjatë kontrolleve të ushtruara në shtëpinë e tij nuk është gjetur asnjë gjë që të faktojë këto akuza të SPAK.

“Kur i thosha se kjo ishte e vërteta dhe kur në fakt, në shtëpinë tonë nuk ka gjetur as fustane mijëra Eurosh, as bizhuteri me ndonjë vlerë të veçantë, ai zvarranik si i dalë nga qenefët e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit zgërdhihej dhe më tregonte se si i binte violinës kur ishte i vogël”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u arrestua të hënën nga SPAK, i cili e akuzon për korrupsion dhe pastrim të produktit të veprës penale.

Tv Klan