Dy vëllezër nga Fushë-Arrëzi Besmiri dhe Andueli kanë ardhur në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare për t’i ofruar ndihmën e tyre motrës e cila është në proces divorci. Ata i kërkojnë që ajo të lërë Fushë-Arrëzin dhe të vijë në Tiranë të jetojë me ta.
Besmiri: Motër komplimente, si gjithmonë shumë e bukur, e bukur në shpirt dhe e bukur në pamje. Unë jam shumë krenar që ti je motra ime dhe si gjithmonë të kam dashur, por sot më vjen të të dua akoma më shumë. Ne sot nuk kemi ardhur të ndikojmë tek vendimet e tua, ne jemi këtu për të të mbështetur pa asnjë kusht, neve na mjafton që ti të jesh mirë, të jesh e lumtur dhe të bësh atë që është më e mirë për ty, kjo më mjafton.
Ardit po të drejtohem ty, motra jeton në Fushë-Arrëz me prindërit edhe unë nuk i shoh shumë mirë atje për shumë arsye, edhe për të shkuarën. Unë do kisha shumë dëshirë që ajo të vijë të jetojë me ne në Tiranë. Unë jam i martuar dhe jam konsultuar edhe me gruan dhe kemi marrë një vendim, që nëse Danjela dëshiron të vijë në Tiranë, tek shtëpia jonë është e mirëpritur në çdo lloj momenti, në çdo lloj rasti, po ashtu edhe tek shtëpia e vëllait.
Ne jemi të ndarë, ky ka shtëpinë e vetë, unë kam shtëpinë time. Që do të thotë nëse ti dëshiron të ikësh nga Fushë-Arrëzi dhe dëshiron të vish në Tiranë, kur të duash, si të duash, me fëmijë e ke derën e hapur. Jo vetëm për faktin se je motra jonë, por edhe për faktin që je njeri i tillë, je njeri i jashtëzakonshëm.
Danjela: Nuk e vë në dyshim gatishmërinë e tyre për të më ndihmuar apo për të mi lehtësuar gjërat.
Ardit Gjebrea: E mendon të jetosh në Tiranë me vëllezërit, apo për momentin dëshiron të jetosh me prindërit?
Danjela: Unë ka kohë që po përpiqem të bëj shkëputjen nga Fushë-Arrëzi, por për shkak të punës jam akoma aty. Në Tiranë vij në fundjavë sepse kam djalin që është në shkollë këtu tek vëllai. /tvklan.al