Auron Tare është një emër i njohur në fushën e trashgimisë kulturore shqiptare, i cili ka dhënë një kontribut të madh në kauzën e ruajtjes së historisë së pasur të vendit tonë.
Që prej 2006-ës ai është drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, por ka provuar veten në disa fusha si sporti, gazetaria apo trashëgimia kulturore.
Sot Tare ishte i ftuar në “Rudina” nga ku foli për trashëgiminë nënujore ndërsa shtoi se “Nacional Geographic” e vlerëson si një ndër 10 më të famshmet në botë.
“Trashëgimia jonë nënujore është shumë e pasur dhe mbahet si një ndër 10 më të famshmet në botë nga Nacional Geographic, jo nga ne. Sot këto zbulime janë krenari për Shqipërinë. Unë kam shumë dëshirë të krijoj një museum nënujor, jemi shumë afër dhe shumë larg, por është e vështirë.
Unë kam mbaruar akademinë ushtarake “Skëndërbej” sepse gjyshja ime kishte shtëpinë shumë afër dhe babai im ishte pedagog dhe siç duket edhe ngaqë kam qenë i prapë. Mendoj se kam patur fatin të jem në atë shkollë sepse më ka dhënë një botëkuptim tjetër për veten, për vendin dhe shoqërinë. Fatkeqësisht ne që kemi qenë atje na kanë dhënë një detyrë duke na quajtur përgjegjës për këtë vend.
Unë lexoja shumë dhe bëja pyetje të ndryshme tek profesorët e mi të cilët viheshin edhe në siklet dhe shkolla në atë kohë më dënoi të mos futesha në bibliotekë. Unë fillova të lexoj fshehurazi dhe aty kuptova që më tërhiqnin librat historike. Në ’92 unë udhëhoqa një ekip shkencëtarësh të huajsh nga “Nacional Geographic” dhe u futëm me varka gome në zonën e Librazhdit në Steblevë dhe kemi dalë në Peshkopi, një mrekulli. Pas asaj ekspozite unë solla për herë të parë balonat në Shqipëri”, tha Tare.
/tvklan.al