Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike ndërkohë që ditën e sotme atje pritet të zhvillohet një protestë kundër tij.
Siç duket edhe në video, Basha është ndalur dhe ka përshëndetur gazetarët që po qëndrojnë në ambientet e selisë, ku ka bërë edhe disa batuta me ta.
Burime për Klan News bëjnë me dije se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të mbledhë Kolegjin e Kryetarëve në orën 11:00 këtë të shtunë. Ky takim pritet që të nisë 1 orë para protestës së thirrur nga Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit në selinë e PD-së.
Protestuesit do të mblidhen për të kërkuar largimin e Lulzim Bashës nga detyra e kryetarit të Partisë Demokratike, në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit dhe Referendumit të 18 Dhjetorit. Më pas protestuesit pritet të zhvendosen edhe para kryeministrisë.
Një ditë më parë Ish-kryeministri Sali Berisha tha se nuk do të largohen pa marrë në dorëzim selinë e partisë.
Lideri historik i së djathtës, ndërsa akuzoi Bashën se e ka kthyer partinë në një bunker, bëri të ditur se dyert e selisë do të hapen me çdo kusht dhe se partia do u kthehet demokratëve./tvklan.al