“Vullnetari” fiton “Costa Book of the Year”
“Vullnetari”, një biografi e një luftëtari polak që depërtoi në kampin nazist në Aushvic ka fituar çmimin “Costa Book of the Year” ose libri Kosta i vitit. Jetëshkrimi për iniciativën më famëkeqe dhe shfarosëse të njerëzimit është bërë fituese e 30.000 Paund. Ky libër me autor Jack Fairweather nxjerr në pah faktet e mbledhura për vrasjet e shumta gjatë kësaj periudhe, kur shumë njerëz u mbytën, u torturuan, u shfrytëzuan për eksperimente në fushën e mjekësisë, por edhe u vetëvranë për të shpëtuar nga skena të tilla jonormale.
Fairweather tha se synonte të shkruante “një histori të humbur në histori”. Në qendër të librit është Witold Pilecki, që vjen si një personazh që u burgos në vitin 1940, u arratis në 1943-shin dhe më vonë luftoi në Kryengritjen e Varshavës në 1944-n. 4 vjet më vonë, ai u ekzekutua nga regjimi komunist në Poloni, veprim që u pasua me mbajtjen në hije të të dhënave deri në vitit 1990.
Autori i kësaj vepre shprehet se tema që ka përzgjedhur është “një nga heronjtë e mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore”. Kështu, me vetëbesim për librin e tij, ai vazhdon të theksojë se kushdo që do ta lexojë këtë libër do të ndihet i frymëzuar si vetë ai. Ai shton se thelbi i ngjarjes ka një mesazh të fortë për ne sot. Fairweather e mban gjallë personazhin dhe e ngre atë në piedestal duke thënë se protagonisti ishte në kampin e vdekjes në kulmin e kohëve më të këqija të njerëzimit dhe arriti të gjente guximin të rezistonte në rrethana të tilla.
Ky është viti i dytë që i kushtohet rëndësi Holokaustit, për të nxjerrë në pah të pathënat dhe për të eksploruar gjithnjë e më shumë sa më thellë ҫështjes. Libri, nga ish-reporteri i luftës Jack Fairweather, mundi katër vepra të tjera dhe arriti të rrëmbejë ҫmimin “Costa Book of the Year” vetëm një ditë pas 75 vjetorit të çlirimit të kampit.
Paneli i gjykimit Costa që i dha këtë vlerësim librit “Vullnetari” e përshkroi librin si një punë e jashtëzakonshme, e ftohtë dhe mjeshtërisht e realizueshme në aspektin biografik historik.
Klan Plus