Prononcimi i Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në çelje të panairit Ditë e hapur me Policinë në Vlorë:

“Siç besoj e dini, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë organizuar këtë mundësi apo dritare komunikimi, për të bërë bashkë qytetarët dhe Policinë e Shtetit, duke besuar se mënyra më e mirë për t’i bërë qytetet tona më të sigurta është duke bashkëpunuar dhe duke ndërtuar platforma solide të bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve.

Shumë është thënë, veçanërisht gjatë muajve të verës. Shumë akuza dhe baltë është hedhur mbi Policinë e Shtetit.

Në fakt kjo është Policia e Shtetit. Kjo që shihni këtu, kjo që shikojnë qytetarët e Vlorës. Shërbim për qytetarët. Angazhim për qytetarët.

Përkushtim për t’i shërbyer më mirë qytetarëve në luftën kundër kriminalitetit, paligjshmërisë dhe informalitetit.

99.99% e qytetarëve shqiptarë janë ata që respektojnë ligjin. Janë ata që e duan ligjin, janë ata që duan qytete të sigurta.

Janë ata që duan shtetin ligjor. Janë ata që duan shtetin në fund të fundit. 99.99% e qytetarëve, edhe këtu në Vlorë, janë ata që duan të bëhen bashkë me institucionet në tërësi dhe Policinë e Shtetit në veçanti, për t’i bërë qytetet tona më të sigurta dhe për t’i dhënë mundësi shoqërisë të ketë mirëqenie dhe zhvillim ekonomik.

Ndaj kjo dritare komunikimi dhe në qytetin e Vlorës, është një mundësi që kemi krijuar ne për t’u bërë bashkë me qytetarët.

Siç e shihni janë fëmijë, të rritur, të moshuar, njerëz të të gjitha moshave që bëhen këtu bashkë, për të kaluar një mbasdite, bashkë me Policinë e Shtetit duke parë policinë, jo si një shërbim represiv, as me dritën e akuzave dhe baltës që hedh ditë për ditë opozita, por duke e parë me fytyrën e njerëzve që është Policia e Shtetit, me fytyrën e njeriut.

Qëllimi ynë ky është, të sjellim Policinë e Shtetit me fytyrën e njeriut pranë qytetarëve, për t’u treguar qytetarëve se ka vetëm një mënyrë për të pasur sukses të gjithë bashkë kundër paligjshmërisë, kriminalitetit, për t’i bërë qytetet tona më të sigurta. Dhe kjo është vetëm të bëhemi bashkë, t’i bashkojmë energjitë, të bëhemi shpatull më shpatull me njëri-tjetrin, për t’ia rritur të gjithë bashkë dhe t’ia dalim të gjithë bashkë mbanë, për t’i bërë qytetet tona më të sigurta.”

/tvklan.al