“X Factor Albania” është rikthyer pas 10 vitesh nga edicioni i tij i parë në ekranin e Tv Klan, për të zbuluar talentet e reja me faktorin “X”. Aktualisht, pas përfundimit të fazës së vilave, janë përzgjedhur tashmë konkurrentët që do të performojnë në netët live.
I ftuar këtë të martë në emisionin “Rudina”, bashkë me grupin e tij të “kategorisë mix”, është 1 nga 4 anëtarët e jurisë, Young Zerka. Ai ka ndarë me ne emocionet dhe se si ishte për të momenti kur duhet t’iu thoshte konkurrentëve “jo”.
Young Zerka u shpreh se e ka përjetuar shumë keq, por ai i këshillon konkurrentët nga ekrani, që të mos dorëzohen kurrë.
Edhe vetë Zerka ama, nuk i ka shpëtuar “jo”-ve. Artisti tha se “jo”-të, e kanë bërë të punonte më shumë për të arritur ëndrrat ose dëshirat e tij.
Young Zerka: Nuk ka qenë shumë e lehtë për mua. Për mua ka qenë surprizë sepse nuk i kam frekuentuar shumë këto pjesët, të jesh në juri, sepse duke e ditur që… gjithmonë e lidh me hapat e mia të fillimit dhe e di që ka njerëz që do ta marrin për ters edhe kur ti i thua “jo”. Unë e përjetoj shumë keq më beso.
Rudina Magjistari: E besoj, por gjithsesi je i detyruar aty se duhet të…
Young Zerka: Unë gjithmonë ua kam justifikuar me këtë gjë, që edhe ajo “jo”-ja ka të bëjë shumë. Gjithmonë e lidh edhe me veten time. Për këtu ku kemi arritur, secili nga ne ka pasur barriera pafund. Shumë “jo” dhe shumë “po”. Por më shumë janë “jo”, se janë ato bërrylat, janë shumë gjëra.
Rudina Magjistari: Po ti ato “jo”-të e tua si i kujton dhe çfarë këshille ju jep ti ndërkohë të rinjve?
Young Zerka: I kujtoj që të mos dorëzohen kurrë dhe thjesht ato “jo”-të t’i mbledhin sa më shumë, edhe t’i bashkojnë fuqitë për atë “jo”-në.
Rudina Magjistari: Por nga ana tjetër ti paske marrë një mësim nga kjo eksperienca jote e “jo”-ve, të cilat nuk të kanë penguar aspak të bëhesh ky që je sot. Si të kanë ardhur “jo”-të ty, të vrazhda, të thëna me delikatesë edhe motivuese, pavarësisht se mund të jetë një “jo” dhe si e reflekton ti këtë në marrëdhënie me të rinjtë?
Young Zerka: Unë të them të drejtën s’është se kam ardhur nga edicionet televizive…
Rudina Magjistari: Flasim “jo” në kuptimin figurativ, në jetë.
Young Zerka: Ne përballemi dhe me këtë pjesën, për shembull, në fillimet e mia në punën e bashkëpunimeve, kur ti duhet t’i thoshe një artisti pak më të avancuar se unë, edhe ti do merrje dhe “jo”, por merrje dhe “po”, më kupton? Kështu që unë nuk ndalova, vazhdova po punoja.
Rudina Magjistari: E qartë, por si ndihet një artist kur merr një “jo”? Ti si je ndjerë dhe çfarë diference bën ajo mënyra se si thuhet “jo”-ja? Për ta kapur aty ku e nise në fillim.
Young Zerka: Me thënë të drejtën, ajo “jo”-ja më ka bërë të punoja më shumë! /tvklan.al