PS kërkon Tiranën e Korçën. PD, Fierin e Korçën

Socialistet e demokratët propozojnë qarqe të ndryshme për aplikimin pilot të teknologjisë në zgjedhjet e 25 Prillit.

Në përgjigjen që i kthejnë letrës së Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve si PS dhe PD janë dakord që një nga qarqet të jetë Korça, por ndahen për qarkun e dytë. Shumica propozon disa qendra votimi në Tiranë ndërsa opozita Qarkun e Fierit.

Një fakt tjetër që bie në sy është që në shkresën e firmosur nga përfaqësuesi ligjor i socialistëve në KQZ flitet vetëm për votim elektronik dhe jo për numërim, mbase kjo sepse e marrin të mirëqenë faktin se nëse do të votohet në mënyrë elektronike automatikisht edhe numërimi do të jetë në të njëjtën mënyrë.

Ndërsa demokratët kanë zgjedhur të jenë më specifikë dhe kërkojnë që projekti pilot për votimin dhe numërimin të jenë në qarqet Fier dhe Korçë.

Arsyeja pse socialistët kanë zgjedhur Qarkun e Tiranës thonë se lidhet me cilësinë e internetit që është më i mirë në kryeqytet dhe shmanget në këtë mënyrë çdo problem që mund të lindë ditën e zgjedhjeve.

Duke patur përballë 2 propozime të ndryshme tani mbetet në zgjedhjen e KQZ  për të vendosur se në cilin prej 2 qarqeve Tiranës apo Fierit do të aplikohet projekti pilot.

Sipas marrëveshjes së 5 Qershorit në Kodin Zgjedhor u përcaktua që në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit të aplikohej teknologjia në zgjedhjeve fillimisht në disa qendra votimi që të përbejnë jo më pak se 10 përqind të votueseve të regjistruar në rang kombëtar.

Ndërkohë KQZ po shqyrton dokumentacionin e të vetmes kompani që ka shfaqur interes për të ndërtuar sistemin e identifikimit elektronik “Smartmatic”, kompania me seli në Londër ka kërkuar afro 20 milionë euro pa TVSH zbatimin e këtij projekti.

Tv Klan