Diploma masteri për edukimin special në arsimin parauniversitar pa pasur leje. Është kjo një nga shkeljet e evidentuara nga grupi i punës pranë kolegjit “Wisdom”. Zv/ministrja e Arsimit, Ana Kapaj thotë se ky kolegj nuk ka pasur program studimi të licencuar në këtë fushë.
“Regjistrat themeltarë, është parë që ka një mungesë të regjistrave që duhet të jenë në përputhje me Ministrinë e Arsimit dhe QSHA dhe përveç mungesës së këtyre regjistrave, nuk kemi pasur asnjë kërkesë për t’u pajisur me regjistër. Diçka tjetër është lëshimi i një masteri edukimi special për arsimin parauniversitar, por nuk ka program studimi për licencimin e këtij programi pra në ministri”, tha ajo.
Në Shqipëri operojnë 40 institucione të arsimit të lartë, publik dhe privat, prej të cilave është mbyllur kontrolli për 24 prej tyre, ndërsa vijon procesi për 16 të mbeturat. Sipas Kapajt, nga kontrolli i ushtruar në këto universitete, nuk janë vërejtur problematika madhore.
“Nga 24 raportet që janë përfunduar, nuk ka masë të madhe problematika të theksuara. Sugjerimet kanë qenë të një niveli lehtësisht të rikuperueshëm, të përditësimit të rregulloreve, verifikime për stafin akademik, struktura brenda IAL siç është Senati, departamenti, fakultetet”.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për kolegjin universitar “Wisdom”, për dyshimet se aty janë falsifikuar dhe shpërndarë në këmbim të vlerave monetare dokumente shkollore.
Hetimet e regjistruara në muajin Korrik u bënë pas një kallëzimi të bërë nga ish-rektori i këtij universiteti, Bajram Hasa. Edhe autoritetet italiane kanë hapur një hetim për këtë çështje duke vënë në pranga 9 persona.
Tv Klan