Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, gjatë takimit me drejtuesit dhe stafin akademik të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, deklaroi se do të hartohet një plan strategjik për zhvillimin e këtij universitetit.

Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit: Puna për planin e zhvillimit do të nisë menjëherë për strategjinë e re të Universitetit të Shkodrës 2030. Së bashku me stafin drejtues dhe pedagogët e këtij universiteti, por edhe me një ekspertizë nga diaspora akademike, do të modelojmë ofertën akademike për Universitetin e Shkodrës, për ta bërë më tërheqëse për të rinjtë e Shkodrës dhe më gjerë.

Ministrja Manastirliu u ndal edhe te investimet në infrastrukturën por edhe te ridimensionimi i programeve të studimeve .

Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit: Ne sot jemi këtu jo vetëm për të parë nga afër investimet që kanë ndodhur, por edhe nevojën që kemi për të rritur investimet në universitet, qoftë përsa i përket laboratorëve të kërkimit shkencor, por edhe për sa i përket investimeve në raport me ndërkombëtarizimin, programet e përbashkëta, diplomat e dyfishta, të cilat kërkojnë një punë jo vetëm në aspektet e përmirësimit të mësimdhënies, por edhe në aspektet e zhvillimit të kërkimit shkencor dhe infrastrukturës shkencore në universitet.

Sipas ministres është gati dokumenti strategjik për politikat e arsimit të lartë, i cili synon ta udhëheqë universitetet  shqiptare në drejtim të ndërkombëtarizimit.

Klan News