Policia e Lezhës ka arritur të zbardhë një ngjarje të ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Pllanë, ku në oborrin e banesës së një personi është hedhur një granatë ofensive, por fatmirësisht nuk ka shpërthyer.
Falë veprimeve të shpejta dhe me metoda proaktive është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar i kësaj ngjarje. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin P.D., banues në Mirditë.
Ai dyshohet se mbrëmjen e kaluar ka hedhur granatën në banesën e vjehrrit të tij. I riu i ka hequr edhe siguresën, por fatmirësisht granata nuk ka shpërthyer. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
Në vendngjarje kanë shkuar ekspertët xhenierë të Reneas, të cilët kanë bërë shpërthimin e kontrolluar të granatës.
28-vjeçari prej kohësh kishte mosmarrëveshje me bashkëshorten. Ai ushtronte dhunë fizike ndaj saj dhe për këtë arsyeje gruaja ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprat penale në ngarkim të shtetasit P.D. “Vrasje me dashje e mbetur ne tentative” “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese e municionit”./tvklan.al