Zbulimi amerikan mësoi në fillim të këtij viti se qeveria ruse kishte planifikuar të vriste drejtorin ekzekutiv të një kompanie të fuqishme gjermane të armëve që prodhonte predha artilerie dhe automjete ushtarake për Ukrainën. Lajmin ia konfirmuan televizionit CNN, pesë zyrtarë amerikanë dhe perëndimorë që e njohin rastin.

Komploti ishte vetëm njëri nga disa plane ruse për të vrarë drejtuesit e industrisë së mbrojtjes në mbarë Europën, pasi po mbështesnin përpjekjet e Ukrainës për të zmbrapsur pushtuesin rus, thanë këto burime. Plani për të vrarë Armin Papperger, drejtorin ekzekutiv të kopanisë RHEINMETALL, ishte më i pjekuri.

Kur amerikanët mësuan planin rus, ata informuan Gjermaninë, shërbimet e sigurisë të së cilës më pas ishin në gjendje ta mbronin Papperger dhe të prishnin komplotin. Një zyrtar i nivelit të lartë i qeverisë gjermane konfirmoi se Berlini ishte paralajmëruar për komplotin nga ShBA-ja.

Për më shumë se gjashtë muaj, Rusia ka kryer një fushatë sabotimi në mbarë Europën, kryesisht nëpërmjet aktorëve të tretë. Ajo ka rekrutuar anëtarë të krimit vendas për gjithçka, nga sulmet me zjarrvënie në magazina të lidhura me armët për Ukrainën, te aktet e vogla të vandalizmit, të gjitha të krijuara për të penguar rrjedhën e armëve nga Perëndimi në Ukrainë dhe mbështetjen e hapur publike për Kievin.

Agjencitë e zbulimit thanë se Rusia është e gatshme të vrasë qytetarë europianë e amerikanë.

Papperger ishte një objektiv i dukshëm: Kompania e tij, Rheinmetall, është prodhuesi më i madh dhe më i suksesshëm gjerman i predhave të artilerisë të kalibrit 155 mm. Kompania po hap një fabrikë automjetesh të blinduara brenda Ukrainës në javët e ardhshme, një përpjekje që një burim i njohur me inteligjencën tha se ishte thellësisht shqetësuese për Rusinë.

Pas një sërë përparimesh në fillim të këtij viti, përpjekja luftarake e Rusisë ka ngecur sërish pasi brigadat ukrainase janë përforcuar dhe ndihmës perëndimore me armatim.

Klan News