Serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e 15 Nëntorit sepse ato nuk kanë të bëjnë me statusin e Kosovës. Kjo është thirrja që bën në Çagllavica Hashim Thaçi dhe Pieter Feith.
Pieter Feith: “Mendoj që kjo nuk është çështje që lidhet apo duhet të lidhet me statusin. Qytetarët duhet të marrin fatin në duart e tyre dhe të votojnë për përfaqësuesit e tyre. Njëkohësisht është më rëndësi se këto zgjedhje mund të çojnë përpara procesin e decentralizimit.”
Feith tha që nëse nuk dalin në zgjedhje serbët mund të humbin pushtetin në komunat që udhëheqin.
Sipas tij nuk do të ketë kurrfarë imponimi politik dhe do të menaxhojë ai që fiton më shumë vota. Shefi i ISO-së në mënyrë indirekte dha një porosi për Beogradin.
Pieter Feith: “Ne mendojmë se nuk duhet të ketë interferime nga jashtë. Qytetarët duhet të jenë të lirë të vendosin për pjesëmarrjen e tyre në votime.”
Thaçi premtoi mbështetje për komunat e reja dhe udhëheqësit e tyre që dalin nga zgjedhjet e Nëntorit.
Konferenca e përbashkët e shefit të ISO-së dhe të kryeministrit në Çagllavicë ishte caktuar për orën 13.
Ndodhi ajo që po përsëritet shpesh në vizitat e Thaçit jashtë Prishtinës, ai u vonua edhe në këtë rast.
Kësaj radhe viktimë e vonesës gjysmë orëshe të kryeministrit ishte monitoruesi i pavarësisë.
Feith madje mundohej t’i qetësonte gazetarët e mërzitur nga vonesa e kryeministrit duke u thënë në gjuhën serbe të kenë durim.
As pas gjysmë ore vonesë, kryeministri nuk e pa të udhës t’ju kërkojë falje mediave të shumta për vonesën e tij./tvklan.al