Një përpjekje masive mori udhë të martën për të shuar zjarret më shkatërruese që Attica kishte parë për dekada me radhë. Zyrtarisht numri i të vdekurve është 77, ndonëse shërbimet e shpëtimit paralajmërojnë se shifra mund të rritet, për shkak se me dhjetëra persona rezultojnë të humbur dhe të paktën 11 janë në kujdes intensiv.

Ndërkohë, Prokurori i Gjykatës së Lartë, Xeni Dimitriou urdhëroi një hetim për shkaqet e zjarreve, ndërsa të dhënat tregojnë për një reagim të ngadaltë të shtetit ndaj kësaj emergjence dhe se nuk kishte një plan evakuimi për një situatë të tillë.

Zjarret, që shpërthyen të hënën në resorte bregdetare në rrethinat e kryeqytetit, vijuan të ishin aktive deri të martën, ndonëse shtetet e Bashkimit Europian iu përgjigjën kërkesës së Greqisë për t’i ardhur në ndihmë në shuarjen e flakëve.

Disa prej zjarreve u bë e mundur që të neutralizoheshin gjatë orëve të pasdites të së martës, përfshirë zjarrin që preku fshatin e vogël të Matit, në lindje të Athinës, aty ku 26 persona u gjetën të pajetë në një fushë. Në mesin e tyre kishte edhe familjarë të përqafuar.

Me qindra zjarrfikës vijuan përpjekjet për të shuar flakët pranë Rafina dhe në Kineta, në perëndim të Athinës, ku zjarret e së hënës u rindezën të martën. Orët e vona të së martës u raportua për një zjarr të përmasave të vogla në Aghioi Theodoroi.

Ndërkohë, 4 zjarre të tjera ishin aktive nëpër Greqi, përfshirë një pranë portit të Korinthit dhe një tjetër në Kretë.

Varkat e rojeve bregdetare patrolluan detin pranë zonave të prekura nga zjarret, pasi shpëtuan më shumë se 700 persona, të cilët u futën në det apo u hodhën në të për të shpëtuar nga flakët që po përhapeshin me shpejtësi.

Ekipet e shpëtimit vendosën të martën njësi lëvizëse në Mati, Rafina dhe Kineta në mënyrë që të shpërndanin ushqim dhe ndihma të tjera për qindra persona që humbën shtëpitë e tyre nga zjarret.

Sipas kryebashkiakut të Rafina-Pikermi, Evangelos Bournous, më shumë se 1 500 shtëpi u shkatërruan nga flakët.

Sa i përket dëmit të pyjeve, përllogaritet se i kalon 2 100 hektarë. Tragjedia rindezi çështjen tejet të përhapur të ndërtimeve të jashtëligjshme në tokat pyjore dhe përgjatë bregdetit.

Duke e konsideruar një “tragjedi të pa përshkrueshme”, në një dalje televizive Kryeministri Alexis Tsipras deklaroi 3 ditë zie kombëtare. Ai la të kuptohej se arsyet e kësaj tragjedie dhe personat e mundshëm përgjegjës do të hetohen “në momentin e duhur”.

Edhe liderët e opozitës thanë se tani nuk ishte koha për të drejtuar gishtin për fajtorët. Lideri i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis u shpreh se prioritetet ishte “bashkimi dhe solidariteti”.

Përgjigja ndaj kësaj fatkeqësie ishte e shpejtë dhe efiçente.

Autoritetet bashkiake bashkuan forcat me organizatat jo qeveritare dhe vullnetarët për të mbledhur ndihma për qindra persona që mbetën pa shtëpi, ndërsa Kryqi i Kuq Helen hapi llogari bankare për donacione.

Rrjetet sociale u mbushën me apel për ushqim, veshje dhe medikamente për të mbijetuarit, ndërsa të afërmit e atyre që rezultojnë të humbur publikuan kërkesa për informacion.

Autoritetet shëndetësore bënë apel për dhurim gjaku për të ndihmuar të lënduarit që ndodhen nëpër spitale në Attica dhe patën një përgjigje të jashtëzakonshme nga qytetarët.

Kathimerini//tvklan.al