Pas shkarkimit nga detyra, zv/Kryeministrja Ledina Mandija ka kallëzuar në Prokurori drejtorin e përgjithshëm të Postës Shqiptare Majlind Lazimi dhe disa drejtuesve të tjerë të postës për shpërdorim detyre dhe përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.
“Zyra e zëvendëskryeministres vlerëson se, ekziston dyshimi i arsyeshëm se Drejtori i Përgjithshëm dhe persona të tjerë drejtues të shoqërisë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre të kryera me dashje duke vepruar në kundërshtim me ligjin, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të parashikuara përkatësisht nga neni 248 dhe neni 328/a të Kodit Penal”, thuhet në një njoftim zyrtar.
Gjithashtu, zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e kryesueses së Task Forcës, i ka kërkuar sot Prokurorit të Përgjithshëm hetimin e plotë dhe të gjithanshëm ndaj veprimeve arbitrare të drejtuesve të shoqërisë Posta Shqiptare sh.a, të cilët gjatë periudhës së fushatës zgjedhore nga data 25.5.2017 e deri më sot, po bëjnë lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve të shoqërisë në qendër dhe në filialet e saj në rrethe”, thuhet në njoftimin e Zyrës së zv/Kryeministres.
Njoftimi i plotë i Zyrës së zv/Kryeministres:
Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e kryesueses së Task Forcës, i ka kërkuar sot Prokurorit të Përgjithshëm hetimin e plotë dhe të gjithanshëm ndaj veprimeve arbitrare të drejtuesve të shoqërisë Posta Shqiptare sh.a, të cilët gjatë periudhës së fushatës zgjedhore nga data 25.5.2017 e deri më sot, po bëjnë lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve të shoqërisë në qendër dhe në filialet e saj në rrethe.
Sipas urdhrave të shkarkimeve të vëna në dispozicion të zëvendëskryeministres janë të paktën 30 (tridhjetë) raste të tilla, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që numri real i lëvizjeve të punonjësve të jetë edhe më i madh. Grupi i verifikimit në pamundësi për të marrë informacionin nga drejtori i shoqërinë Posta Shqiptare sh.a, i siguroi të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve (DPT), e cila konfirmoi faktin se pas datës 25.05.2017 janë larguar nga puna 22 punonjës dhe janë emëruar rishtas 27 persona.
Referuar këtyre fakteve ekziston dyshimi i arsyeshëm se këto lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve gjatë periudhës së fushatës zgjedhore po bëhen për qëllime politike. Në këto kushte, zyra e zëvendëskryeministres vlerëson se lëvizjet masive të pajustifikuara ligjërisht të punonjësve të shoqërisë në qendër dhe në filialet e saj në rrethe në një periudhë relativisht të shkurtër dhe për më tepër gjatë fushatës zgjedhore, janë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Punës, por edhe me përcaktimet e bëra në nenin 88 të Kodit zgjedhor. Zyra e zëvendëskryeministres vlerëson se, ekziston dyshimi i arsyeshëm se Drejtori i Përgjithshëm dhe persona të tjerë drejtues të shoqërisë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre të kryera me dashje duke vepruar në kundërshtim me ligjin, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të parashikuara përkatësisht nga neni 248 dhe neni 328/a të Kodit Penal Për këto arsye, bazuar në pikën 31 gërma ë) të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.473, datë 01.06.2017, zëvendëskryeministrja ia ka referuar këtë rast Prokurorisë për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore, për verifikimin dhe vlerësimin e tij, me qëllim ushtrimin e funksionit kushtetues të ndjekjes penale. Zyra e zëvendëskryeministres Ledina Mandija vlerëson se, pavarësia politike e administratës shtetërore është e lidhur drejtpërdrejtë me nevojën për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, të cilëve u ofrohet shërbim si edhe me nevojën për të garantuar parimet e neutralitetit, paanshmërisë dhe integritetit të nëpunësve të administratës shtetërore.