Ivan Gvozdenovic nuk është më trajner i Skënderbeut. Klubi korçar, ka njoftuar këtë të diel largimin e teknikut serb.

“Divorci” mes palëve vjen menjëherë pas humbjes në kampionat, ku juglindorët u mposhtën minimalisht në transfertë nga Laçi.

“Faleminderit Ivan Gvozdenovic! Ivan Gvozdenovic ka mbyllur bashkëpunimin me ekipin e Skënderbeut.  Trajneri është përshëndetur me stafin dhe lojtarët. Skënderbeu e falenderon trajnerin për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe bashkëpunimi”, shkruan klubi.

Tekniku serb ishte në stolin e Skënderbeut prej dy vitesh, pas mori drejtimin në Nëntor të vitit 2022. Gvozdenovic mori drejtimin e bardhekuqve në Kategorinë e Parë, duke i rikthyer në Superiore, aty ku në sezonin e kaluar, siguroi edhe “Final Four”.

Megjithatë rezultatet e këtij sezoni, që e kanë pozicionuar Skënderbeun në vendin e parafundit me 13 pikë, kanë bërë që palët ta ndajnë rrugët. /tvklan.al