“Destinacioni i radhës, Shqipëria? Administrata e Trumpit është në bisedime me qeverinë në Tiranë për të sjellë në Shqipëri 100 mijë qytetarë të Gazës. Burime izraelite besojnë se Egjipti dhe Jordania do të refuzojnë të presin refugjatët dhe thonë se mundësitë si Shqipëria dhe Indonezia janë më të realizueshme”, ka qenë ky postimi në rrjetin social “X” i gazetarit izraelit, Amit Segal.

Menjëherë, Kryeministri Rama i është përgjigjur në “X” duke thënë se nuk ka dëgjuar diçka kaq të rreme për shumë kohë dhe e ka hedhur kategorikisht poshtë si mundësi që në Shqipëri të vijnë 100 mijë qytetarë nga Gaza.

“Nuk kam dëgjuar diçka kaq të rreme për shumë kohë – dhe ka pasur shumë lajme të rreme kohët e fundit! Nuk është absolutisht e vërtetë. Respekt dhe solidaritet të plotë për popullin e Gazës, i cili është dehumanizuar nga regjimi i egër i Hamasit dhe ka duruar një luftë djallëzore pas tmerreve mesjetare të 7 Tetorit.”

Më tej, Rama thotë se Shqipëria nuk mundet që ta marrë përsipër një përgjegjësi të tillë teksa thotë se lutemi që popullit palestinez t’i jepet shansi të jetojë në shtetin e tij si njerëz të lirë.

“Por më lejoni të jem i qartë: Shqipërisë nuk ia ka kërkuar askush. Ne as nuk mundemi. Jemi krenarë për miqësitë tona të forta me Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin dhe, natyrisht, me popullin palestinez, shtetin e të cilit Shqipëria e ka njohur shumë kohë më parë. Por Shqipëria nuk është në vetë Lindjen e Mesme dhe nga zemra e Europës, ne nuk mund të bëjmë më shumë se çdo vend tjetër europian në një çështje të tillë. Megjithatë, ne dëshirojmë dhe lutemi që popullit palestinez t’i jepet shansi të jetojë në shtetin e tij, si njerëz të lirë nën sundimin demokratik, dhe që Hamasi të mos jetë më kurrë në gjendje të dëmtojë Izraelin – ose, para së gjithash, vetë palestinezët”, përfundon Rama reagimin e tij.


/tvklan.al