Ngjarja përkujtimore e 11 Shtatorit të vitit 2001 ndali për pak ethet e fushatës elektorale .
Në ngjarjen që u mbajt në New York, Donald Trump dhe nënpresidentja amerikane Kamala Harris u përshëndetën me njëri-tjetrin ndërsa i pranishëm ishte edhe vetë presidenti amerikan Joe Biden.
Një tingull kambane dhe një moment heshtjeje shënuan fillimin e përkujtimores në të ashtuquajturën pikën zero në New York, ku kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë u shembën nga sulmet e avionëve të rrëmbyer të 11 Shtatorit 2001.
Sipas traditës asnjë personazh politik nuk flet në ceremoninë e Kullave Binjake ndërsa në qendër të saj është leximi me zë të lartë i emrave të viktimave nga të afërmit e tyre.
Në Pentagon një flamur i SHBA u shpalos për të shënuar 23 vjetorin. Personeli ushtarak dhe civilët morën pjesë në ceremoninë në të cilën u këndua himni kombëtar.
Sulmet e 11 Shtatorit transformuan për gjithmonë jetën personale të mijëra njerëzve që mbijetuan, që morën pjesë në ekipet e ndërhyrjes së shpejtë ose humbën të dashurit, miqtë dhe kolegët e tyre. Mes atyre të prekurve është edhe kjo nënë amerikane e cila kujton djalin e saj, i cili humbi jetën gjatë atyre sulmeve.
“Ky është djali im Ajsi. Ai dëshironte të linte gjurmën e tij në këtë jetë dhe të siguronte një jetë më të mirë për vajzën e tij. Ai kishte tetë muaj që i ishte bashkuar ushtrisë dhe kishte qenë disa javë para sulmit në Irak. Vij këtu çdo vit jo vetëm që njerëzit të mos e harrojnë koston e lirisë por edhe të bashkohem me familjarë të tjerë të viktimave që ndajnë të njëjtën dhimbje. Është shumë e vështirë, por çfarë mund të bëjmë?,” tha ajo.
2,977 persona humbën jetën nga sulmet me 4 avionët e rrëmbyer në 11 shtator të vitit 2001. Numri më i lartë i viktimave u shënua në Nju Jork. Sulmi i parë u krye në orën 8:46. Pas rreth 15 minutash, në orën 09:03, u godit kulla e dytë. Avioni i rrëmbyer nga terroristët u rrëzua pas rezistencës së pasagjerëve. Sipas hetimeve të mëpasshme, objektivi i tij mund të kishte qenë Shtëpia e Bardhë ose Kapitoli.
Sulmet u planifikuan nga Afganistani nga grupi terrorist Al Qaeda.Shtetet e Bashkuara iu përgjigjën duke nisur luftën në Afganistan ndërsa në 2011 trupat amerikane vranë udhëheqësin e Al Qaedas, Osama Bin Laden në Pakistan.
Sulmet terroriste mbeten një nga ngjarjet më traumatike jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por mbarë botën. Ato nxitën “luftë kundër terrorizmit” nga Shtetet e Bashkuara, transformuan politikën e sigurisë kombëtare, ngjallën ndenjën e bashkimit tek amerikanët, por gjithashtu ndryshuan jetën e familjarëve të viktimave dhe ekipeve të shpëtimit të cilët u shërbyen bashkëkombësve të tyre 11 Shtatorin e 23 viteve më parë.
Klan News