Një operacion i përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë çoi në arrestimin e 12 personave. Siç duket edhe në këto pamjet të aksionit, 5 prej tyre u arrestuan në Shqipëri, ndërsa të tjerët në Spanjë dhe Itali. Grupi kriminal hetimeve të kryera nga autoritetet, rezulton se grupi shqiptar trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës.
Aktiviteti kryesor i tyre ishte në shtetin italian, vend me të cilin Shqipëria ka nisur procedurat për ekstradimin e të arrestuarve në vendin tonë, pasi rezultojnë nën akuzë nga Gjykata e Brescia-s. Sipas policisë, kokaina trafikohej nga Amerika Latine nëpërmjet automjeteve të modifikuara. Në brendësi të këtyre makinave krijoheshin vende të posaçme për fshehjen e lëndës narkotike dhe më pas shitej në Itali, por dhe shtete të tjera të BE-së. Aksioni i policisë shqiptare u koordinua nga Prokuroria e Posaçme.
Hetimet për goditjen e grupit kriminal nisën që në verën e vitit 2020, ku në lokalet e natës në afërsi të Brescia-s dhe Veronës u zbuluan shpërndarës të kokainës. Një vit më vonë policia italiane sekuestroi 350 kilogramë kokainë dhe arrestoi një person.
Hetimet e mëvonshme zbuluan se në krye të grupit janë dy vëllezër nga Elbasani, të cilët drejtonin operacionet e importimit, shpërndarjes dhe grumbullimit të të ardhurave të përftuara nga shitja e drogës. Paratë sipas policisë italiane vinin në Shqipëri nëpërmjet shoferëve të autobusëve të linjës Brescia-Elbasan. Drejtuesit e grupit kriminal sipas policisë bënë marrëveshje me furnizuesit e drogës duke u takuar në Kolumbi dhe Dubai.
Gjatë zhvillimit të operacionit të përbashkët autoritetet sekuestruan drogë, shuma parash, por dhe sende të tjera të vlefshme për hetimin ndaj grupit kriminal.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Nën koordinimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Brescias, në orët e para të mëngjesit të 21.01.2025 u finalizua operacioni ICARO, në Shqipëri dhe Itali, me ekzekutimin e 12 masave të sigurisë “arrest me burg” dhe 8 masave “të marrjes në pyetje të personave nën hetim”. Personat ndaj të cilëve u ekzekutuan masat e sigurisë ishin pjesë e një organizate kriminale të trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit kokainë nga Amerika e Jugut.
Oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shqiptare dhe Policisë Italiane, nën koordinimin e Drejtorisë Antimafia të Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut, kryhen kontrolle të shumta në Shqipëri si edhe në provincat e Brescias, Milanos, Torinos, Veronës, Bolzanos, Cremonës, Novarës, Pavias, Trentos dhe Trevisos ku u bë e mundur dhe ekzekutimi i masave të sigurisë.
Më datën 21.01.2025, në Shqipëri, janë arrestuar me qëllim ekstradimin shtetasit shqiptarë: Sh.P., I.D., E.D., E.Zh., G.B. Ndërsa arrestimi i M.M., nuk është bërë i mundur, pasi është në kërkim.
Hetimet nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u rregjistrua shpërndarja e lëndës narkotike e llojit kokainë, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali dhe ato u kryen nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut.
Në hetim ishin rreth 40 shtetas italianë dhe shqiptarë.
Pas identifikimit të furnizuesve të kokainës, mbi bazën e hetimeve, është rikonstruktuar organigrama e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me importin e sasive të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut. Në krye të kësaj organizate kriminale janë dy vëllezër shqiptarë nga Elbasani, G.P., dhe Sh.P. Ata i jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobuzëve të linjës Brescia – Elbasan.
Në nëntor të vitit 2021, është kryer arrestimi i një prej personave nën hetim, i cili do t’i dërgonte një sasi prej 350 kg kokainë organizatës, e cila e kryente aktivitetin në zonën e Brescia-s.
Anëtarët e organizatës kriminale kanë përdorur telefona të “kriptuar” nga analiza e të cilëve ka rezultuar edhe përfshirja e tyre në brendësi të kësaj organizate kriminale shqiptare e dedikuar në trafikun ndërkombëtar të qindra kilogramëve të lëndës narkotike, kryesisht kokainë. Hetimet kanë konfirmuar faktin se drejtuesit e kësaj organizate, për të realizuar marrëveshjet me furnizuesit kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, ku ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë.
Klan News