Një 52-vjeçar ka kërcënuar me armë punonjësit e policisë, të cilët kishin shkuar në banesën e tij pasi ishin njoftuar për konflikt në familje. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Shkodrës në lagjen “Tre Heronjtë”.
Forcat e policisë shkuan në banesën e 52-vjeçarit me iniciale S.B., pasi ky i fundit po konfliktohej me bashkëshorten.
Në momentin që ju afruan shtëpisë, i zoti i banesës mori një armë gjahu dhe kanosi punonjësit e policisë për të mos u afruar në banesë, pasi do qëllonte në drejtim të tyre.
52-vjeçari u neutralizua dhe u arrestua. Atij ju sekuestruan dy armë gjahu model “Browning” dhe 170 fishekë me kalibër 12mm, të cilat i mbante me leje.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”. /tvklan.al