Mbi 5400 vende të lira pune në të gjitha qytetet e Shqipërisë janë tashmë të publikuara në Platformën Kombëtare të Punësimit, e krijuar për të mbështetur tregun e punës në vend. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale sjell informacione më të plota për mundësitë që ofron kjo platformë.
Më konkretisht çdo person brenda apo jashtë vendit që kërkon të rikthehet në vendlindje duhet fillimisht të rregjistrohet në portalin puna.gov.al si punëkërkues. Më pas duhet të kërkojë profesionin apo punën që i përshtatet dhe të aplikojë për t’u punësuar. Platforma Kombëtare e Punësimit ofron informacion mbi vendet e lira të punës në Shqipëri, ku ndërmarrjet hoteliere, industria nxjerrëse, prodhimet artizanale, arsimi dhe formimi profesional, industria ushqimore, administrata publike dhe ndërtimi janë edhe sektorët që kanë më tepër kërkesa për punonjës.
Platforma shërben po ashtu dhe për punëdhënësit, të cilët mund të publikojnë vendet e lira të punës për të gjetur punëkërkuesit e duhur. Edhe në këtë rast punëdhënësit duhet të regjistrohen në platformë për të publikuar më pas edhe vendet e tyre të lira të punës.
Gjithashtu platforma shërben edhe për të gjithë ata të rinj ose persona të tjerë që kërkojnë të marrin një profesion të ri apo të zgjerojnë aftësitë e tyre profesionale, duke u bërë pjesë e kurseve të formimit profesional.
Sipas të dhënave të INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë në vitin 2024, papunësia në vendin tonë zbriti në nivelin më të ulët historik, prej 10,7%, nga 16% që ishte në vitin 2013. Ulja e nivelit të papunësisë gjatë vitit të kaluar ndikoi pozitivisht në rimëkëmbjen e ekonomisë sipas të dhënave zyrtare.
Ndërsa pritshmëritë për 2025-ën janë që të ketë një normë papunësie në masën 9,8%.
Tv Klan