Teknologjia digjitale përdoret shumë pak në procesin e mësimdhënies në Shqipëri. Përdorimi i teknologjisë digjitale në shkollat shqiptare është i kufizuar.
Këtë nxjerr në pah një anketë e UNDP me 800 mësues, sipas së cilës 65% e tyre nuk e integrojnë teknologjinë në procesin e mësimdhënies dhe të të nxënit. Ekspertja e Arsimit, Irida Sina thotë se kjo reflekton mungesën e infrastrukturës së duhur në shkolla.
“Realitetin ne e dimë në shkollat tona, janë shumë të pakta shkollat që kanë mundesinë të përdorin teknologjitë e informacionit në procesin mësimor, kemi shkolla që kanë vetëm një projektor dhe bëhet diskutimi kush është mësuesi që do e marrë i pari.”
Po përse është e dobishme përfshirja e teknologjisë në procesin mësimor?
“Duhet të japim mësim në atë formë që nxënësit nxënë. Nëse ky brez është i lidhur ngushtë me teknologjinë, do të thotë që këtë mjet, ta çojmë dhe në shkollë.”
Në raport, UNDP, programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim evidenton nevojën e trajnimit të mësuesve për zhvillimin e aftësive digjitale, për të kuptuar më mirë sesi përdoret teknologjia për qëllime mësimore.
Tv Klan