Më 17 Prill do të vendoset përfundimisht fati i ish-kryebashkiakut Vangjush Dakos në raport me drejtësinë.

Këtë të Premte, GJJKO ka vendosur që në këtë datë të merret vendimi nëse dosja e tij do kalojë ose jo për gjykim.

Pasi doli nga Gjykata, ai zgjodhi të mos japë asnjë koment për gazetarët. Mësohet se gjatë seancës së sotme janë diskutuar aktet e Prokurorisë dhe ekspertiza e kryer për “Promenadën bregdetare”. Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, ish-kryebashkiaku i Durrësit ka mohuar çdo akuzë ndaj tij, por në seancë ka pasur edhe debate të forta.

Dako akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim”, në dy raste, ku bëhet fjalë për ndërtimin e disa kateve pa leje të një pallati në Durrës.

Gjyqtari i seancës paraprake ka kërkuar përgatitjen e akt ekspertimit kontabël-financiar për të parë dëmet ekonomike dhe vlerat reale të të gjitha punimeve sa i takon Promenadës në Durrës.

Dako u arrestua në Qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK, ndërsa u lirua nga “arresti me burg” për t’u vendosur në “arrest shtëpie” në 7 Shkurt 2024.

/tvklan.al