Prej shumë muajsh Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha nuk lejon zhvillimin normal të seancave parlamentare dhe as të komisioneve, për shkak se siç thotë kërkon të drejtat e saj kushtetuese për komisionet hetimore parlamentare.
Por mesa duket kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi po negocion me mazhorancës gjetjen e një konsensusi sa i takon të drejtave të opozitës dhe rikthimin në normalitet të Parlamentit.
Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, nuk mohoi që të ketë negociata në këtë drejtim.
Blendi Fevziu: Është e vërtetë që po negocion një rikthim të mundshëm në Parlament?
Gazment Bardhi: Nuk ka asgjë sekrete në qëndrimin e grupit parlamentar të PD që vullneti jonë ka qenë gjithmonë që nga dita e parë për një Parlament që funksionon normalisht. Kemi qenë dhe mbetemi të hapur për dialog politik me mazhorancën, me të vetmin kusht respektimi i kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. A bisedojmë apo jo, unë si kryetar i grupit parlamentar të PD me institucionet brenda organit të Kuvendit të Shqipërisë, e kam bërë nga dita e parë dhe vazhdoj ta bëj edhe sot që flasim.
Blendi Fevziu: Ato zgjidhen me kulisa nuk zgjidhen me organe.
Gazment Bardhi: Nuk ka asgjë kulisa në këtë drejtim. Të jeni të sigurt, sa herë do dëgjoni emrin e Gazment Bardhit nuk ka kulisa..
Blendi Fevziu: Asnjë marrëveshje nuk është bërë në struktura, bëhen në kafe.
Gazment Bardhi: Nuk ka kulisa mbrapa.
Blendi Fevziu: Ke marrë për kafe ndonjë nga këta të PS-së?
Gazment Bardhi: Beteja që po bëjmë ne nuk është betejë për të marrë ne favore, është betejë për komisionet hetimore dhe këtu s’ka nevojë për kulisa, është betejë për të përmbyllur Reformën Zgjedhore, këtu s’ka nevojë për kulisa. Janë dy çështje që janë të drejta kushtetuese të opozitës, të drejta që opozita po lufton prej 5 muajsh për t’i fituar. Është në vullnetin e mazhorancës të ketë një reflektim për t’i dhënë zgjidhje situatës në kuvend duke plotësuar kërkesat e opozitës.
/tvklan.al