Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së hënës në Greqi, më saktësisht në Athinë, në zonën e njohur si Kypseli. Një 28-vjeçar shqiptar u godit me thikë në fyt duke humbur jetën.
Autorë të kësaj ngjarje janë dy vëllezër, po shqiptarë, 17 dhe 19 vjeç. Ata kanë deklaruar se e vranë 28-vjeçarin, të cilin e kishin kushëri, pasi viktima kishte abuzuar me ta seksualisht.
Ngjarja tragjike dyshohet se ndodhi rreth orës 22:50 me orën lokale. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe arritën ta gjejnë të vetëdijshëm shqiptarin. Ata e transportuan në spital të riun, por ai ndërroi jetë pak minuta më vonë.
Pas kësaj nisën hetimet për të zbuluar kush ishin autorët. Por nuk u desh shumë punë pasi rreth 1 orë pas vrasjes në komisariat u shfaqën dy vëllezërit me nënën e tyre ku rrëfyen se çfarë ndodhi dhe më pas u vunë në pranga.
Ata janë shprehur se kur kanë qenë fëmijë të vegjël dhe jetonin në Shqipëri, 28-vjeçari kishte abuzuar seksualisht me ta. E kur kanë shkuar në Greqi janë përpjekur të harrojnë çfarë ka ndodhur. Megjithatë në ditët e fundit, 28-vjeçari kishte shkuar po ashtu në Greqi.
Kur e panë, atyre “iu zgjuan” kujtimet e këqija dhe vendosën ta vrisnin. 17-vjeçari ka deklaruar se ka qenë ai që e ka goditur drejtpërdrejt në qafë.
Më poshtë mund të shihni videon kur vëllezërit godasin të riun, pamje të publikuara në mediat greke:
Në lidhje me rastin ka pasur edhe dëshmitarë në vendin e ngjarjes. Një prej tyre foli për mediat greke.
“Po vinte dhe [viktima] ra mu përpara meje. Rruga ishte e mbyllur. Ai nuk e kishte kuptuar çfarë po i ndodhte. Për 10 minuta erdhi ambulanca dhe ishte i vetëdijshëm. Ambulanca erdhi për 10 minuta por më herët kishin arritur policë me motorë. Deri atëherë ishte i vetëdijshëm duke lëvizur krahë. Nuk e di nëse [viktima] jetonte këtu”, tha një dëshmitar për ANT1.
Policia greke po vijon hetimet. Ndërkohë ditën e sotme dy vëllezërit shqiptarë pritet të dërgohen para prokurorisë dhe ndaj tyre pritet të ngrihen akuza./tvklan.al