Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokon 50.2 ton mish i importuar në 2 kontenierë nga Brazili. Nga analizimi i mostrave u konstatua se kjo sasi ishte e prekur me “salmonele”. Autoritetet shqiptare sqarojnë se në portin e Durrësit kanë nisur procedurat për kthimin mbrapsht të kësaj sasie mishi.
Kjo nuk është hera e parë që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar dhe kthyer në origjinë mish jashtë standardeve apo të prekur me salmonele. Një tjetër sasi e madhe u bllokua në fund të Majit të këtij viti në portin e Durrësit. Në atë kohë u identifikuan dy ngarkesa me gjithsej 53.1 ton mish të kontaminuar.
Në total gjatë këtij viti janë bllokuar 5 kontenierë me 130 tonë mish të ardhur kryesisht nga Brazili. Numri i ngarkesave të importuara në këtë periudhë nga ky vend ka qenë 195 kontenierë. Nga Brazili importohet kryesisht mish derri, gjedhi dhe pule.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se secili prej konteniereve është kontrolluar e analizuar me rigorozitet. Burimet zyrtare shtojnë se kontrollet e shoqëruara me cilësinë e analizave janë garanci e plotë, që produktet që futen në treg janë të sigurta.
Tv Klan