Ministrja Belinda Balluku ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj akuzave për Portin e Durrësit, duke i cilësuar ato “luftë kundër fuqizimit të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut”. Sipas Ballukut, ata që hedhin baltë (referuar opozitës) do e marrin përgjigjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Lufta kundër projektit strategjik të portit të ri të Durrësit është luftë kundër vendosjes së Shqipërisë në hartën e Mesdheut si një pikë e re e rrjetit të tregtisë navale. Është luftë kundër fuqizimit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si pjesë integrale të projektit të portit të ri, ku në Prishtinë dhe Shkup do të ndërtohen dy porte të thata të lidhura me Durrësin. Është luftë kundër hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe Korridorit 8 që pa portin e ri të Durrësit nuk bëjnë asnjë sens. Është luftë kundër sigurisë së Shqipërisë dhe rajonit, që me krahun ushtarak të NATO-s në projektin e portit të ri të Durrësit ngrihet në një nivel tjetër. Është luftë kundër vetë interesit strategjik të Shqipërisë dhe prandaj është një luftë e humbur, e cila bëhet nga ata që kanë dhënë prova se edhe e kanë djegur Shqipërinë për interesat e tyre.
Sot u ka mbetur vetëm balta që edhe e eksportojnë jashtë në media të huaja, për t’u dukur më të besueshëm kur e hedhin pastaj këtu. Por sa më shumë baltë të hedhin, aq më thellë ajo baltë do t’i përpijë pranverën që vjen, kur do ta marrin përgjigjen jo me baltë, po me votat e shqiptarëve. Shqipëria2030 ka dalë tanimë nga balta dhe as nuk ndalet më as nuk kthehet më kurrë në baltën e atyre që luftojnë kundër interesave të saj. Ajo do të ecë edhe më shpejt për t’u ulur në tryezën e Bashkimit 🇪🇺Evropian falë mandatit të katërt për @EdiRamën dhe Partinë Socialiste. Pikë!”, thotë zv.kryeministrja në reagimin e saj.
Kujtojmë se kreu i demokratëve Sali Berisha ka hedhur akuza herë pas here sa i takon Portit të Durrësit. Për Berishën, kjo aferë përbën dënimin më të rëndë pas ndërtimit të bunkerëve nga Enver Hoxha për taksapaguesit shqiptarë.
/tvklan.al