Pasi inspektoi përgatitjet për pastrimin e zonës ku do të realizohet faza e parë e ndërtimit të portit të ri turistik të Durrësit, kreu i qeverisë shkoi në një tjetër projekt. I shoqëruar nga drejtuesi i kompanisë globale Emaar Group, Mohamed Alabbar, kreu i qeverisë shkoi në kantierin e rindërtimit në Spitallë, ku po punohet për lagjen e re të financuar nga Princi i Kurorës së Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Princi i Kurorës ka ngarkuar drejtuesin e kompanisë globale Emaar Group për organizimin e koordinimin e këtij projekti.
Teksa po flisnin për projektin, Alabbar nuk la pa shprehur përshtypjet e tij për Shqipërinë. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama pati një kërkesë të veçantë, që kur të vihet në Shqipëri, edhe Monaco të bëhet xheloze. Kreu i qeverisë u shpreh se viti 2022 do të jetë i jashtëzakonshëm për Durrësin, ndërsa dekada në të cilën kemi hyrë, do ta vendosë qytetin bregdetar në hartën e botës.
Mohamed Alabbar: Unë jam në 14 vende, por zemrën e kam në Shqipëri për shkak të mënyrës se si më trajtoni. Të gjithë në qeveria janë entuziasmantë që të bëjnë diçka për njerëzit.
Edi Rama: Çfarë sfide më të madhe mund të kesh tani? Ke të gjitha paratë e botës, ke vendet që do. Të vish në Shqipëri dhe ta bësh Monaco-n xheloze!
Mohamed Alabbar: Po, po duhet ta bëjmë.
Edi Rama: Ta bëjmë Durrësin simotrën e Marinës së Dubait.
Mohamed Alabbar: Po, po duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë.
Edi Rama: Kam deklaruar sot se Durrësi do të ketë një festival fishekzjarresh si dhuratë nga marina e Dubait për marinën e ardhshme të Durrësit. Është shprehja juaj e dashurisë për qytetarët e Durrësit.
Mohamed Alabbar: Po, është kënaqësi shumë e madhe që ne i shoqërojmë fishekzjarret e tona në Dubai me Durrësin. Është një kontribut i vogël për t’ju treguar njerëzve një fillim të shkëlqyer për 2022. Ndoshta është më e pakta që mund të bëjmë sa të nisë projekti.
Edi Rama: Le t’i urojmë të gjithë qytetarëve të Durrësit një vit shumë të gëzuar. 2022 do të jetë një vit i jashtëzakonshëm për Durrësin dhe kjo dekadë do ta vendosë Durrësin në hartën e botës si një destinacion për të shkuar.
Mohamed Alabbar: Shkëlqesia juaj, asgjë nuk na ndalon. Nuk ka asgjë që na ndalon. /tvklan.al