Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka darkuar me shkrimtarin e madh Orhan Pamuk në Stamboll. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri Kurti përmes një postimi në “Facebook”, ku shkruan se nuk e ka besuar që shkrimtari Pamuk po e fton për darkë teksa shton se kur kjo ndodhi, temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë.
Më tej, Kurti thotë se Orhan Pamuk ka një dashamirësi dhe vëmendje të frikshme dhe po ashtu është i interesuar për Kosovën, shqiptarët dhe Ballkanin. Për darkën me shkrimtarin, Kurti thotë se ishte një kënaqësi që nuk e përshkruan dot me fjalë.
“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë.
Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, shkruan kryeministri Albin Kurti krahas fotove me Orhan Pamuk.
/tvklan.al