Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Aleatët e vegjël të socialistëve, Gjinushi, Melo e Imami, do të kryejnë nesër përpjekjen e fundit për të bindur selinë rozë të japë zonat e lira për kandidatët e tyre për deputet. Socialdemokratët do të këmbëngulin në listën me 12 kandidatë për deputet, ndërsa aleancistët dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, do të kërkojnë zonat e lira në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug.

Presioni i tyre shtohet së tepërmi sepse ata kanë një ftesë nga Berisha. Në rast se socialistët nuk tolerojnë, atëherë koalicioni Aleanca për Shtetin nuk do të ekzistojë më. Melo ka përsëritur kërkesën të marrë zona të lira në Korçë, Sarandë e Gjirokastër. Krahas kërkesës për zona të lira, socialistët do të gjenden nën presionin e aleatëve, për ndryshimin e ligjit zgjedhor, që favorizon lojën e tyre me kandidatë të pavarur.

Zonat e lira dhe ligji zgjedhor, do të jenë prova e qëndresës së socialistëve, përball aleatëve dhe dëshirës për të zotëruar 84 vende në parlament dhe presidentin e ardhshëm./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame