Gjykata e Posaçme e Apelit, pranoi të plotë ankimin e SPAK për dosjen e inceneratorit të Elbasanit, duke gjetur fajtor edhe për shpërdorim të detyrës, ish ministrin e mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako.

Treshja e gjyqtarëve rriti kështu dënimin për Kokën në 6 vite e 8 muaj burg nga 5 vite e 8 muaj që u dënua nga Shkalla e Parë. Ndërkohë, Bllako i cili mori pafajësi në Shkallë të Parë u dënua me 2 vite e 8 muaj burg.

Vendimi mbeti i paprekur nga Apeli për pjesën tjetër të të akuzuarve. Kështu biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, u dënua me nga 10 vite burg. 7 vite heqje lirie u dënua Stela Gugallja dhe dënimet me nga 1 vit e 4 muaj deri në 4 vite burg për 4 ish-zyrtarë të tjerë.

Gjykata e Apelit urdhëroi gjithashtu konfiskimin disa pasurive në pronësi te ish ministrit Lefter Koka. Ky i fundit kërkoi pafajësi në Apel për të gjitha akuzat, bashkë me të pandehurit e tjerë në këtë dosje. Në Apel vijon gjykimi për dosjen tjetër atë të inceneratorit të Fierit.

Ndërsa sa u takon hetimeve të inceneratorit të Tiranës, SPAK vendosi të marrë të pandehur ish-deputetin Alqi Bllako për akuzën e korrupsionit në dy raste.

Tv Klan