Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Ambasadori i SHBA në Tiranë James Jeffrey, ka theksuar përsëri luftën që do të bëjë shteti shqiptar për të luftuar trafiqet e paligjshme, krimin e organizuar dhe korrupsionin, gjatë një vizite të zhvilluar në aeroportin “Nënë Tereza”, i cili është njohur nga afër me sistemin e sigurisë dhe funksionimin e këtij aeroporti.
James Jeffrey:- “Një fushë që gjithsecili mund ta shikojë është në organizimin e përgjithshëm dhe në lëvizjen e njerëzve të mallrave këtu. Një tjetër është lufta shumë e rëndësishme kundra krimit dhe korrupsionit, pra kemi parë mjaft suksese këtu kemi parë arrestime, ndryshime në struktura mjaft të larta këtu dhe kjo luftë kundra atyre që kryejnë këto vepra kriminale dhe atyre që qëndrojnë pas tyre duhet të vazhdojnë”.
Jeffrey është shprehur se së shpejti kompania amerikane “Lockheed Martin”, do të vijë në Shqipëri, për të marrë pjesë në ndërtimin e një sistemi modern sigurie të këtij aeroporti. Projekt tjetër sipas tij do të jetë dhe ndërtimi i hekurudhës, e cila do të lidh aeroportin “Nënë Tereza” me portin e Durrësit, që të bëhet falë kompanisë amerikane “General Electric”.
Ndërkohë Ministri i Transporteve Spartak Poçi është shprehur, se dikasteri që ai drejton, javët në vazhdim do të nënshkruaj një memorandum bashkëpunimi me disa ministri, në lidhje me mbarëvajtjen e sistemit të sigurisë dhe funksionimit në këtë aeroport.
Spartak Poçi:- “Unë do të shënoja si një arritje të rëndësishme, firmosjen e memorandumit midis disa prej ministrive kryesore të qeverisë, që ushtrojnë aktivitetin tyre këtu në aeroport. Memorandum i cili shënon, jo vetëm bashkëpunimin midis ministrive dhe sektorëve të tyre që kanë këtu, por shënon në të njëjtën kohë dhe një rritje të përgjegjësisë së shtetit, për të siguruar standarde të larta të sigurisë”./tvklan.al