Kompanitë Apple dhe Google kanë humbur betejën ligjore duke u detyruar të paguajnë shuma të majme në arkën e Bashkimit Evropian. Gjykata Evropiane e Drejtësisë në vendimin më të fundit thekson se Google kishte shkelur ligjet e konkurrencës, ka shfrytëzuar monopolin në treg duke disfavorizuar rivalë më të vegjël europianë.
Për pasojë Google u gjobit me 2.4 miliardë euro. Por edhe pse e kishte apeluar, kjo Gjykate la në fuqi gjobën. Po ashtu edhe Apple duhet t’i paguajë Bashkimit Europian, 13 miliardë euro taksa të prapambetura. Të dyja rastet shihen si një përpjekje e Brukselit për të mbyllur boshllëqet tatimore të shfrytëzuara nga gjigantët amerikan të teknologjisë.
Vendimi i gjykatës kundër Apple erdhi për faktin se në vitin 2016 ajo u favorizua nga Irlanda në dhënien e ndihmës shtetërore, duke e cilësuar të padrejtë. Ndërsa për Google rezulton se “operatori i motorit të kërkimit favorizoi shërbimin e tij të krahasimit të çmimeve, Google Shopping mbi ato të konkurrentëve të tij dhe për këtë arsye abuzoi me fuqinë e tij në treg”.
Përfaqësuesi i kompanisë Apple në reagimin e tij e cilësoi vendimin e Gjykatës Evropiane të padrejtë.
Tv Klan