Policia kufitare e Durrësit ka dhënë detaje mbi zhdukjen në rrethana ende të paqarta të 27-vjeçarit Armando Ndreu që ishte me ekspuls në zonën Shengen. Ai është person në kërkim pasi akuzohet për veprën penale kundërshtim i punonjësve të policisë.
Sipas njoftimit të policisë i riu të enjten në mbrëmje ishte nisur nga porti i Durrësit me traget drejt Barit por nuk është lejuar të zbresë nga karabinierët italiane. Këta të fundit e kanë kthyer sërish në Shqipëri, por Ndreu dyshohet se është larguar në drejtim të paditur.
Policia ka nisur verifikimet përkatëse për të zbardhur skemën e arratisjes së të kërkuarit Armando Ndreu. Gjithashtu do të hetohen edhe punonjësit që kanë lejuar kalimin e 27-vjeçarit drejt Italisë ndërkohë që për të ishte lëshuar një urdhër arresti.