Pak ditë pasi dorëzoi mandatin e deputetit, Jurgis Çyrbja është arrestuar me urdhër të SPAK. Prej disa ditësh ish-deputetit socialist i ishte komunikuar nga Prokuroria e Posaçme marrja si i pandehur.
Ai akuzohej për shpërdorim detyre, por mësohet se arrestimi i tij nuk ka lidhje me këtë çështje por me një të re.
Mësohet se Çyrbja është prangosur pasi dyshohet për lidhje me një grup kriminal në Durrës. Ish-deputeti ka dalë në komunikime në platformën e koduar SKY ECC pikërisht me këtë grup.
Nga ana e prokurorisë nuk jepen detaje, por policia ka njoftuar se Çyrbja u arrestua pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë ndaj tij masën e sigurimit “arrest në burg”.
Akuzat që rëndojnë ndaj tij janë “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror”.
Ish-deputeti i PS u arrestua në Durrës, teksa ishte duke udhëtuar me makinë. Së bashku me Çyrben në pranga ka rënë dhe një person i dytë, Ahmet Masha, një emër i njohur për drejtësinë dhe policinë.
Klan News