Shtëpia e Bardhë anuloi një urdhër të mërkurën që ngriu triliona Dollarë grante dhe kredi federale dhe shkaktoi konfuzion të madh në mbarë vendin.

Direktiva fillestare e Presidentit Trump ndërpreu shërbimin e sistemit Medicaid që ofron kujdes shëndetësor për miliona amerikanë me të ardhura të ulëta dhe krijoi konfuzion për mbështetjen financiare nga qeveria federale të shkollave, spitaleve, organizatave jofitimprurëse, kompanive kërkimore dhe agjencive të zbatimit të ligjit.

Një gjykatës federal në Distriktin e Kolumbisë bllokoi të martën pasdite përkohësisht urdhrin e Presidentit pas një padie të ngritur nga Democracy Forward, një organizatë liberale që argumentoi se direktiva shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës dhe ligjin që rregullon urdhrat ekzekutivë.

Urdhri i Presidentit shkaktoi kaos edhe në Kongres. Ligjvënës e senatorë bombarduan me telefonata Shtëpinë e Bardhë pas shqetësimeve për pezullimin e ndihmës federale.

Më herët Presidenti Trump ndërpreu tërësisht edhe ndihmën e huaj, por më pas u detyrua të tërhiqet pjesërisht. Me anë të një njoftimi, Departamenti i Shtetit tha se fondet për ndihmën humanitare shpëtimtare do të vazhdojnë të jepen.

Me urdhrat e tij, Presidenti Trump, i nxitur edhe nga këshilltari i tij miliarder Elon Musk, synon të ulë borxhin publik duke zvogëluar shpenzimet qeveritare, ndaj ato po rishikohen tani me përparësi.

Klan News