Redjan Rraja është ndaluar nga autoritetet policore, si i përfshirë në atentatin e së premtes pranë mbikalimit të Shkozetit. 34-vjeçari me precedentë të mëparshëm penalë dhe me profesion stomatolog u ndalua në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria drejt Malit të Zi.

Nipi i deputetit Rrahman Rraja, dyshohet se është një nga personat që mori pjesë në atentatin ku mbetën të plagosur prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, Pëllumb Muharremi dhe Andi Maloku.

Objektiv i këtij atentati dyshohet të ketë qenë Pëllumb Muharremi, i njohur ndryshe me emrin “Rrumi”, apo dhe si i “forti” i Shijakut, ndërsa motivi dyshohet të jetë për hakmarrje.

Por kush është Redjan Rraja? Ai nuk është një emër i panjohur, si për autoritetet policore, ashtu edhe për opinionin publik.

Më 30 Korrik të 2018-s Redjan Rraja u akuzua nga punonjësi i policisë Emiliano Nuhu se e kishte kërcënuar sëbashku më Ramazan Rrajan, nipër të deputetit të PS Rrahman Rraja, për mosmarrjen e kallëzimit të Xhensila Malokut. Kjo e fundit ishte dhunuar nga Rexhep Rraja, i biri i deputetit socialist.

Redjan Rraja u arrestua në Maj të vitit 2016, pasi akuzohej për fshehjen e pistoletës dhe telefonit të të vrarit Elton Çiço.

Një natë më parë, gazetari Spartak Koka ishte i pari që njoftoi ndalimin e një personi të dyshuar nga Fushë-Kruja, me precedentë penalë, si i përfshirë në atentatin e 1 Nëntorit, detaje të cilat Koka i dha nga studio e “Opinion”

“Ngjarja është drejt zbardhjes, të paktën për kapjen e një prej autorëve që ka marë pjesë. Nga backgroundi i personit që mbahet aktualisht në Drejtorinë së Policisë së Tiranës, dyshohet që ngjarja të ketë të bëjë me pistën e hakmarrjes, paraprakisht. Pista e parë pas ndalimit të këtij personi, që detajet e rëndësishme për këtë person do të mësohen ditën e nesërme, është që atentati të jetë menduar ndaj Pëllumb Muharremit. I ndaluari është nga Fushë-Kruja, një person me influencë në zonë dhe me background të mëparshëm kriminal. Do të jetë përgjigja e ekzaminimeve biologjike nga laboratori i Policisë Shkencore, ai i cili pritet të nxjerrë detaje të tjera, që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të tjerë“, tha gazetari Koka mbrëmjen e së hënës./tvklan.al