Kjo pamje tregon momentin pas atentatit ndaj biznesmenit të ndërtimit Eduart Reçi, i cili u qëllua me një plumb në kokë jashtë pallatit të tij, pranë Fakultetit Ekonomik në Tiranë. 52-vjeçari shfaqet në kamerat e sigurisë i shtrirë në tokë, në gjendje të rëndë për jetën pasi plumbi i përshkoi kokën tej për tej.

Menjëherë pas këtij momenti ai u dërgua në spitalin e Traumës por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se Reçi sapo kishte dal nga banesa e tij në momentin që është qëlluar vetëm një herë. Dyshohet se 52-vjeçari është qëlluar nga lart, nga një person i paidentifikuar i cili mund të ketë qenë në një prej pallateve pranë vendit të ngjarjes.

Policia u rikthye sërish mëngjesin e të enjtes në vendin e ngjarjes dhe nuk gjeti asnjë gëzhojë. Për të rënë në gjurmët e autorit, policia ka sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në zonë, por deri tani nuk ka mundur të zbulojë atë.

Eduart Reçi ishte një biznesmen ndërtimi dhe pronar i disa subjekteve në zonën ku jetonte. Hetimet e policisë janë përqendruar tek e shkuara e 52-vjeçarit dhe aktiviteti i tij në biznes. Më herët 52-vjeçari me origjinë nga Dibra ka punuar për disa vite në Shërbim Informativ Shtetëror.

Klan News