Austria dhe Turqia takohen në ndeshjen e fundit të turit të 16-s të Euro 2024 në Euro 21 në Lajpcig.
Austria nuk ka luajtur kurrë në çerekfinale të Kampionatit Evropian dhe duhet të fitojë përballë Turqisë për të arritur synimin e saj.
Austriakët kanë shkëlqyer në fazën e grupeve, duke u renditur përpara Francës dhe Holandës. Ata fituan 3:1 ndaj Polonisë dhe 3:2 ndaj Holandës, ndërsa pësuan një humbje fatkeqe ndaj Francës, me nje autogol.
Dy fitore pati edhe Turqia në grupin e saj, por kaq mjaftoi vetëm për vendin e dytë në grupin F. Turqit fituan 3:1 ndaj Gjeorgjisë dhe 2:1 ndaj Republikës Çeke, ndërsa humbën 3:0 ndaj Portugalisë.
Turqia do të jetë pa kapitenin Hakan Çalhanoglu në ndeshjen e fazës së 16-s.
Turqia ishte në gjysmëfinale në Euro 2008, ndërsa synon një tjetër rrugëtim të tillë. Por përfaqësuesja e drejtuar nga Vincenzo Montella vuajti për fitoren ndaj Çekisë që mbeti herët, në pjesën e parë, me dhjetë lojtarë.
Përveç Çalhanoglu-së, tek Turqia është i pezulluar edhe Samet Akaydin. Për Austrinë mungon mbrojtësi Patrick Wimmer.
Në mars, Austria dhe Turqia luajtën një miqësore në Vjenë. Austriakët fituan 6:1.
“Do të jemi pa dy lojtarë. Do të jemi pa kapitenin tonë i cili është i pazëvendësueshëm. Ai luajti shumë mirë si Sameti. Janë mungesa vendimtare”, tha trajneri i Turqisë, Montella.
Turqia pritet të ketë mbështetje të zjarrtë në stadium, për shkak të miliona turqëve që jetojnë në Gjermani. Por Austria gjithashtu pritet të ketë një mbështetje të madhe.
Austria ka fituar 9 nga 17 ndeshjet e fundit kundër Turqisë. Turqia ka shtatë fitore, ndërsa një ndeshje ka përfunduar në barazim.
Të gjashtë golat e Austrisë në Euro 2024 u shënuan nga lojtarë të ndryshëm.
“Austria është një ekip i fortë që ushtron shumë presion. Në miqësoren e marsit nuk mundëm t’i përgjigjemi presionit të austriakëve. E shoh si një ndeshje tjetër dhe jo një mundësi për hakmarrje. Ne duam ta fitojmë këtë ndeshje. Ne duhet të eliminojmë Austrinë dhe të ecim përpara”, – tha mbrojtësi i Turqisë, Zeki Çelik.
“Skuadra e di shumë mirë se pavarësisht se kush luajmë, nëse japim më të mirën mund të fitojmë. Mund të fitojmë kundër të gjithëve. Lojtarët i kanë të dyja këmbët në tokë dhe e dinë saktësisht se çfarë është e rëndësishme. Energjia që ofrojmë në fushë është ajo që na ka bërë një skuadër speciale deri më tani”,- tha trajneri austriak, Ralf Rangnick.
/tvklan.al