Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla zhvilloi një takim miqësor me Kryetarin e Bashkisë së Verias, Vorgiazidis Konstantinos, një prej qyteteve ku shqiptarët jetojnë dhe punojnë që prej fillimit të viteve ’90.

Gjatë takimit, Balla vlerësoi mikpritjen që Bashkia dhe qytetarët grekë i kanë treguar komunitetit shqiptar, i cili është bërë tashmë pjesë e integruar e shoqërisë në Veria.

“Gjej rastin t’ju falënderoj për mikpritjen që i keni dhënë bashkatdhetarëve të mi. Tashmë, shqiptarët janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë së Verias dhe të gjithë Greqisë, një urë lidhëse midis dy popujve tanë,” tha Balla në deklaratën e tij.

Takimi u zhvillua me synimin për të thelluar më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe të mbështesë integrimin e komunitetit shqiptar që jeton e punon atje, duke promovuar vlera të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës./tvklan.al