Qeveria kërkon ndryshimin e kontratës koncesionarë që shteti shqiptar ka me kompaninë e Aeroportit të Rinasit. Duke folur mbi kërkesën e nisur drejt Avokaturës së Shtetit për të kontraktuar një kompani konsulente të njohur për të dhënë asistencë për këtë marrëveshje, Ministrja Belinda Balluku tha se qëllimi kryesor është skanimi i kontratës dhe gjetja e zgjidhjeve në termat e saj për të bërë të mundur që Policia e Shtetit të punojë për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Ne kemi kërkuar një mbështetje ligjore për ta sonduar dhe skanuar atë kontratë e cila është problematike për të gjithë partnerët që operojnë në aeroport, edhe për Policinë e Shtetit, edhe për shtetin shqiptar, nganjëherë dhe për cilësinë e shërbimeve që ju ofrohet qytetarëve atje.”
Por Ministrja Balluku nuk pranoi të konfirmojë nëse do të ketë një zgjidhje të kontratës me koncesionarin e Rinasit, apo një vazhdim të saj.
“Kjo nuk përkthehet as në zgjidhje të kontratës koncensionare dhe as në vazhdim.”
Qeveria alokoi një fond një javë më parë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për t’i dhënë mundësinë Avokaturës së Shtetit që të marrë një firmë, e cila do ta asistojë lidhur me kontratën me Aeroportin e Tiranës. Që prej datës 9 Prill, ku ndodhi edhe grabitja në Aeroportin e Rinasit, marrëdhëniet e shtetit shqiptar me kompaninë kineze të regjistruar në Singapor nuk janë në periudhën e tyre më të mirë.
Tv Klan