Manchester City vazhdon me formën e dobët. “Qytetarët” nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 ndaj Everton, ndërsa shpërdoruan edhe një penallti.

Pas ndeshjes, trajneri Pep Guardiola deklaroi se skuadra e tij bëri një ndeshje shumë të mirë, por shtoi se futbolli vendoset nga golat, diçka që po i mungon skuadrës së tij.

Ai pranoi se në merkaton e dimrit do të bëhen disa afrime, për të synuar ndryshimin e rrjedhës së sezonit.

“Nëse flasim për paraqitjen, bëmë shumë mirë. Mundësitë për shënim ishin të shumta, ndaj një ekipi të fortë në mbrojtje. Futbolli ka të bëjë me fitoret. Futbolli është të shënosh gola dhe të mos pësosh. Këtë e kemi bërë në të kaluarën, por në muajin e fundit nuk po e arrijmë dot.

Pjesa e parë ishte e mrekullueshme. Edhe në të dytën deri të penalltia ishim mirë. Ata na shënuan në rastin e tyre të parë. Nuk jemi të lumtur për situatën.  Lojtarët kanë qenë të mahnitshëm. Nuk po shënojmë golat që na duhen.

Lëvizje në merkaton e dimrit nuk janë të lehta. Lojtarët e dinë edhe vetë që na duhet freski. Ne duam lojtarë për vitet e ardhshme. Nuk mund të përballojmë kaq shumë dëmtime gjatë sezonit”, deklaroi Guardiola.

Me këtë barazim, City mban vendin e gjashtë me 28 pikë, ndërsa Everton renditet në vendin e 15-të me 17 pikë. /tvklan.al