Ka nisur mbledhja e Këshillit Kombëtar e kërkuar nga Lulzim Basha ditën e djeshme pas vendimit të Kuvendit që e shkarkoi atë. Kreu i PD-së i është drejtuar me një fjalim anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
“Nuk e njohim Kuvendin e 11 Dhjetorit, është anti-amerikan”, është shprehur Basha sipas burimeve të Klan News.
Më herët në selinë blu u paraqitën anëtarët e Këshillit Kombëtar të cilët e pritën Bashën me duartrokitje dhe brohorima.
Pritet që Këshilli Kombëtar të marrë vendim për shkarkimin e kreut të saj, Edi Paloka si dhe të disa prej anëtarëve të Kryesisë që kanë marrë pjesë ditën e shtunë në Kuvendin e 11 Dhjetorit.
Po ashtu siç njoftoi edhe një ditë më parë në një deklaratë Basha, Këshilli Kombëtarë do të dalë me një rezolutë në lidhje me situatën në PD.
Ndërkohë Komisioni për Rithemelimin e PD, i ngritur gjatë Kuvendit të djeshëm, deklaroi më herët se mbledhja e thirrur nga Basha këtë të dielë është nul dhe u bëri thirrje anëtarëve që të mos shkojnë.
Basha: Vendimi i Berishës për të pezulluar Këshillin Kombëtar, i paligjshëm dhe përçarës
Lulzim Basha: Me një vendim të paligjshëm, antistatutor, përçarës, Berisha pezulloi dhe Këshillin Kombëtar. Ju jam mirënjohës për përpjekjen tuaj dhe ata që përfaqësoni, që të mos prevalojnë retorikat përçarëse. Kjo është rruga e vetme që të shkojmë përpara.
Jemin Gjana: Jam sot se jam votuar për të qene në një institucion legal të PD. Jam votuar nga ju që jeni sot këtu dhe nga disa që ishin dje atje. Jam këtu sepse si i vetmi individ, ndjesë për modestinë, kam 30 vite e 3 muaj në Kuvendin e parë të PD që jam pjesë e kësaj trupe pa asnjë ndërprerje. Nuk e ka askush këtë luks do ta quaj. Në Kryesi u kam thënë kolegëve që asnjëherë që nga dita e parë dhe deri sot nuk jam as në partine e Berishës, as Selamit, as Shehut, as Bashës. Jam në PD. Dhe jam sot këtu se kam qenë 30 vite pa ndërprerë tek institucionet legale të PD. Jam pro vendimeve të marra në kryesinë e PD. Nuk po përjashtojmë ata që kanë shkuar ne stadium. Ata janë të lirë të shkojnë kudo. Ata që kanë bërë një grup me 29 anëtarë siç kemi bere në ‘97, ata nuk mund të jenë në 2 vende. Jam pro rezolutës, por dua të them se ne kemi lëshuar terren pas 15 Nëntorit. Trupa e PD duhet të shtrihet në terren. Atje duhet ta bëjmë debatin.
Bejko: Nuk duhet të injorojmë takimin e djeshëm
Roland Bejko: Ne nuk duhet të injorojmë takimin e djeshëm, sado të ishin, megjithëse ishin më pak sesa duhen për të nxjerrë një deputet. Ata janë demokratë. Për shumicën mendoj se i kanë bashkuar interesat politike, të karrierës, apo nuk duan Lulzim Bashën. Interesat u kryqëzuan në këtë formë. Të mërzitur pas humbjes, të shqetësuar se nuk shikojnë perspektivë, me besim të thyer. Berisha i kuptoi interesat e tyre. Që duan një PD të mirëfilltë, të jetë meritokracia që bën përzgjedhje, të ketë perkohshmëri dhe jo përjetësi në poste. Atë që diskutojmë të gjithë. Dhe ua dha këtë. U thotë që këtë e bëj unë, megjithëse për 30 vjet nuk e bëri. E bëri për interes personal, që të marrë partinë. Më vjen keq që e shoh në këtë pozitë të vështirë. Për një burrë shteti interesi i përgjithshëm duhet të prevalojë mbi interesin personal. Kam mbajtur shënim gënjeshtrat. Ka thënë Edi Ramës i duhen 10 vjet të arrijë Lul Bashën. Dje u mor dhe me punët e bashkisë. Aty mendova që nuk ka më kuorum. Çfarë të bëjmë? Di që partia është formacion disipline. Morali është ombrella e të dobëtit, thotë Niçe, por PD nuk është pronë personale, është sakrifica e mijëra demokratëve. Ai ka kontribut të jashtëzakonshëm, është lider i forte, por nëse do të isha në vendin e tij, do të isha tërhequr për hir të sakrificave të demokratëve. Kush do ta mbajë partinë të bashkuar? I bie kryetari që është zgjedhur, kryetarit legjitim. Ne nuk duam të kalcifikoheni, të mbajmë parti të vogël. Nuk themi dot ne jemi më të mirët. Zoti Basha ju del detyrë të kapërceni Sali Berishën, të kapërceni veten. Kuvendi i 18 Dhjetorit është sfida juaj që je kryetar i vetëm, pa pengesë, me mbështetjen e Kryesisë, të Këshilli kombëtar dhe të Kuvendit. Qëndrimi juaj duhet të bindë ata demokratë që ju do të bëni një PD që të gjithë e duam. Do të jetë një Kuvend i vështirë, por është detyra juaj të jeni bindës, të krijoni një perspektive të qartë. Të ftojmë demokratët të jenë këtu me ne, të marrim sanksionet ndaj atyre anëtarëve të Kryesisë që nuk respektuan vendimin.
Agron Kapllanaj: PD është aset kombëtar, është shpresë për shqiptaret. Prandaj ky është moment historik. Nuk kam asgjë me atë pjesë të demokratëve që ishin dje aty në miting. Kanë qëllime. Por nuk mund të pajtohemi kurrë me ata që organizuan atë miting, ata që po kërkojnë ta përçajnë. Ne nuk shajmë, nuk fyejmë, ne do punojmë për këtë parti. Prandaj më 18 Dhjetor demokratët duhen të jenë në Kuvend dhe ta mbushin atë shesh. Nuk jemi në betejë për Lulzim Bashën, por për të ardhmen e PD, e cila është alternativë për të ardhmen e vendit.
Xhaferri: Koha që Basha të drejtojë pa dualitet dhe ne duhet ta ndjekim
Ferdinand Xhaferri: Ka zëra që thonë kryetari nuk bind. Po, e vërtetë, sepse mes nesh ka qenë dyshimi a kemi 1 kryetar apo kemi 2. Tani është koha që kryetari të drejtojë pa dualitet dhe ne duhet ta ndjekim. Për rezolutën propozoj të përfshihet vizita e Eskobarit, pasi mesazhi që ai dha ishte nisja e vizitës nga PD. Në lidhje me 18 Dhjetorin, dua të them që gjatë kësaj kohe e kanë mbajtur kryetaret e degëve. Deri në 18 peshën duhet ta mbajmë të gjithë për një Kuvend model.
Flutura Açka: Kur kam ardhur në PD, mendova që dija shumë, por në fakt e kam mësuar në bazë, me njerëz të ndershëm. Nuk është thjesht me kë je, me Bashën, a me Berishën? E kam votuar Berishën 30 vite, me kënaqësi mjaft që demokratët janë në pushtet. Berisha ka një plagë, ne duhet ta ndihmojmë të shërohet nga vetvetja. Dje tregoi që nuk e bën dot, sot na duhet ta bëjmë ne./tvklan.al