“Ligj i ri anti-mafia”
Partia Demokratike vijon të akuzojë qeverinë për inceneratorët. Sipas selisë blu, një kompani ka përfituar në mënyrë korruptive miliona euro.
Por si do të veprojë PD-ja nëse vjen në qeveri?
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, është ndalur pikërisht tek kjo çështje gjatë bashkëbisedimit me gazetarët këtë të hënë. Ai tha se platforma e tij anti-oligarki dhe anti-korrupsion do të dënojë fajtorët dhe do t’i rikthejë paratë shqiptarëve.
Sipas ndryshimeve që do t’i bëjë ligjit anti-mafia, Basha tha se çdo koncesion, tenderat, apo licence korruptive në kundërshtim me ligjin do të jetë e pavlefshme. Basha u shpreh se pasuritë e paligjshme do të sekuestrohen pavarësisht nëse subjektet dënohen apo jo.
“Ligji i ri anti-mafia, çdo koncesion, tender, licencë korruptive, në thyerje të ligjit është e pavlefshme. Ligji i ri anti-mafia, me efekt prapaveprues. Zgjidhjen ne e kemi konceptuar te mekanizmi anti-mafia, që do të bazohet te parimi ku çdo e ardhur e paligjshme do t’i kalojë buxhetit te shtetit. Ligji i ri anti-mafia vepron ndaj pasurive të kompanive, individëve të përfshirë në kontrata korruptive, të paligjshme. Pasuritë e paligjshme sekuestrohen, pavarësisht nëse subjektet dënohen penalisht”, tha Basha./tvklan.al