Veliaj: Do të kemi edhe teatër të ri
Jetesa në çadër për familjen Dardha në Ndroq ka marrë fund. Shtëpia e dëmtuar nga tërmeti i 21 Shtatorit është rindërtuar dhe kryebashkiaku Veliaj iu ka dorëzuar çelesat e shtëpisë pronarëve të saj.
“Me këtë shtëpi kemi kryer pothuajse të gjitha shtëpitë e tërmetit të shtatorit dhe jemi gati për fazën e dytë, të cilën po e drejton kryeministri, për të bërë jo 50, por 15-fishin e këtyre shtëpive”, tha Veiaj.
Kryebashkiaku siguroi se edhe 800 banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të rindërtohen shumë shpejt.
“Kemi nevojë për pak durim. Kush dyshon nëse do t’i shkojmë deri në fund kësaj historie, mjafton të shohë si ishte kjo shtëpi, si u bë dhe si e mbajmë fjalën”, shpjegoi Veliaj.
Ndërtimi i teatrit të ri do të jetë po ashtu sipas kryebashkiakut një projekt që do të jetëzohet shpejt.
“Por kemi shtëpi të re, çerdhe, kopshte, shkolla, parqe, shesh, pazar, kala, Unazë të Re, do të kemi edhe një teatër të ri. I gjithë qyteti po transformohet dhe rinovohet; po bëjmë kaq shumë projekte të reja saqë është dekurajuese kur ke një minorancë që bën zhurmë dhe bllokon çdo projekt. Gjithsesi, do ecim përpara”, u shpreh kryebashkiaku.
100 vjetori i Tiranës kryeqytet sipas kryebashkiakut Veliaj do të mbahet mend për projektet e rindërtimit.
Tv Klan