Tjetër kapitull në mosmarrëveshjet ligjore mes Paris Saint-Germain dhe ish-yllit të saj, Kylian Mbappé. Çështja që qëndron në themel të përplasjes janë 55 milionë Eurot e prapambetura që lojtari i Real Madridit i kërkon klubit francez.
Siç raporton gazeta franceze “L’Equipe”, Federata Franceze e Futbollit ende nuk i ka dërguar asnjë dokument UEFA-s , e cila si zakonisht është në pritje të një vendimi përfundimtar nga autoritetet kombëtare përpara se të ndërhyjë në këtë rast.
Federata e Futbollit vepron si ndërmjetëse në këto situata me UEFA-n, e cila më pas thirret që t’u japë licencat e ndryshme klubeve evropiane për të luajtur në kupat Europiane. Sipas FFF, dërgimi i dokumentacionit në lidhje me çështjen Mbappe nuk ka përfunduar ende për shkak se kjo e fundit nuk e konsideron mosmarrëveshjen të mbyllur.
Arsyeja lidhet me apelimin e PSG-së në gjykatën e Parisit kundër vendimeve të marra nga Liga Profesionale e Futbollit (LFP), e cila në të dyja rastet vendosi në favor të futbollistit francez.
Derisa të dërgohet dokumentacioni i plotë në lidhje me këtë çështje, UEFA nuk do të jetë në gjendje të komentojë mbi rastin dhe ndoshta të sanksionojë PSG-në.
Kapiteni i Francës pretendon se PSG i detyrohet një shumë prej 55 milionë Eurosh bruto, që ende nuk janë depozituar në llogarinë e tij bankare. Në këtë shumë përfshihet edhe një bonus mirëseardhjeje me vlerë 36 milionë Euro që Mbappe duhet që ta merrte në muajin Shkurt, tre rrogat e muajve të fundit të qëndrimit në Francë si edhe një bonus etike për këtë periudhë kohore.
Klan News