Sali Berisha, në një lidhje me emisionin “Opinion” foli mbrëmjen e kësaj të hëne për vrasjen e Azem Hajdarit, më 12 Shtator të 1998. Duke u ndalur tek fakti se personat që morën pjesë në ekzekutimin e ish-liderit të Dhjetorit, u vranë në harkun kohor të rreth një viti,  Berisha tha se zhdukja e tyre nuk ishte aspak e çuditshme. Ata, sipas Berishës, kryen vrasjen e shekullit dhe duheshin zhdukur. E pas zhdukjes së tyre, për ish-kryeministrin qëndronte vetë shteti. Berisha tha se Haklajt ishin banda më terroriste në historinë e veriut.

Vrasësit e Azem Hajdarit, me ndonjë përjashtim të rrallë, u ekzekutuan në harkun e më pak se një viti. Çfarë ndodhi? Ata të njohur dhe ata që kanë qenë periferik, kanë humbur jetën në rrethana të çuditshme në vende të ndryshme të Europës…

Aspak të çuditshme, ata kryen krimin e shekullit dhe ata duhet të zhdukeshin.

E kush i zhduku zoti Berisha?

Ata që vranë Azemin, duke bërë kombinime. Haklajt ishin banda më terroriste në historinë e veriut. Kurrë Tropoja nuk njeh në historinë e saj, një bandë vrastare, përdhunuese, plaçkitëse, barbare si kjo. Por, pasi kryen misionin, ata duheshin zhdukur dhe faktikisht i zhduku shteti. Vetëm shteti mund të vendoste një seri minash njëra pas tjetrës.

Që çuan në plagosjen e parë të Fatmir Hakljat dhe vrasjen e Feriz Kërnajës…

Vetëm shteti mund të të vriste në oborr të shtëpisë, ose i zoti i shtëpisë. Pra ata i vrau shteti, duke shfrytëzuar, duke bërë kombinime me familjet e viktimave. Familjet e viktimave, sigurisht që ishin të angazhuara me të gjithë potencialin e tyre, meqenëse shteti nuk i dënonte ata, nuk kishte ligj për ta, ata vazhdonin./tvklan.al