Takimi me studentë në Tiranë pikërisht atje ku nisi revolta studentore e viteve ‘90 i ka shërbyer kryetarit të qeverisë të kujtojë kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin e vendit. Kryeministri tha se të rinjtë janë burimi më i fuqishëm i shpresës, i besimit tek Shqipëria europiane dhe  integrimit europian. Shefi i qeverise kujtoi pikërisht idealin mbi të cilën u ngrit dhe funksionoi lëvizja studentore 19 vite më parë. Lëvizje që thelb kishte Shqipërinë europiane.

Sali Berisha: “Në këtë shesh 19 vjet më parë u ndesh Davidi me Konjatin. Davidi ishit ju, Konjati ishte diktatura më e egër në Europë e kryqëzuat atë. Do të bëj çdo gjë që ju të fluturoni si zogj të lirë pa viza në mbarë Europën. Do bëj gjithçka që vendi juaj të marrë fytyrën tuaj që ju …”.

Në qytetin studenti kryeministri akuzoi rivalin e tij politik kryetarin e PS Edi Rama. Berisha ju referua për këtë mitingut të mbajtur në këtë shesh pak javë më parë që shënoi hapjen e fushatës zgjedhore të PS-së.

Sali Berisha: “3 javë me parë, në këtë shesh, u shfaqën si kapuçonë bijtë e etërve që ne i përmbysëm këtu. Ata më ngjanin si mbeturina të ushtrive të shpartalluara që shkojnë, rikthehen në batalionin e tyre. Dhe unë i them zotit Rama se ja ku jam me këta student. Atë që u bëra etërve në vitin ’92, atë që u bëra bijve në 2005, do t’ua bëjmë sërish në vitin 2009, do t’ua bëjmë në 2017”.

Takimin me të rinjtë kryeministri e shfrytëzoi për të shpalosur objektivat e programit qeverisës për këtë shtrese të shoqërisë.  Arsimimin me standardet më të mira europiane renditet si prioritet.

Sali Berisha: “Jean-Jacques Rousseau, njëri nga konifejt e mendimit njerëzor shkruan diku se është 1000 herë më mirë të mundohesh duke mësuar sesa të mbetesh injorant në pleqëri. Ndaj dhe unë do bëj çdo investim për modernizimin e universiteteve shqiptare për kapuset më moderne, të ketë një kompjuter në çdo dhomë, të ketë një kompjuter në çdo shtëpi”.

Fjalimin e tij kryeministri Berisha e përfundoi me thirrjen për të votuar programin europian të qeverisë që drejton.  Kryeministri kujtoi përpara të rinjve në shesh se ideali i Shqipërisë europiane udhëhoqi dhe liderin e lëvizjes studentore të viteve ‘90 Azem Hajdarin.

Sali Berisha: “Ky student trim ngrihej mbi supet e shokëve të tij duke brohoritur “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ju ftoj ju, ftoj rininë e mbarë Shqipërisë, ftoj të gjithë studentët shqiptar që me datën 26 qershor të mblidhemi të gjithë për të kënduar këngën e fitores që meritojmë, rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”…./tvklan.al